Bashkëpunim i mangët mes Gjykatës Speciale dhe institucioneve të Kosovës

Edhe pse u raportua se do ndodhte në dhjetor të vitit të kaluar, Specialja ende nuk ka ngritur ndonjë aktakuzë. Kjo gjykatë ka intervistuar një numër të madh të të dyshuarve, përfshirë edhe dëshmitarë.

Së fundi Specialen e ka vënë në lëvizje, vrasja e Nazmi Rrustemit i cili u raportua se ka qenë dëshmitar i saj. Ky institucion ka hapur konkurs për vende të lira pune. Aty kuptohet se janë duke kërkuar edhe oficerë për mbrojtjen e dëshmitarëve.

Për vrasjen e Rrustemit, nga Zyra e Prokurorit të Specializuar kanë thënë për lajmi.net se nuk kanë asnjë koment.

Ndërsa vrasja e tij mund të ndikojë tek dëshmitarët e tjerë të Speciales, nuk dihet nëse ekziston ndonjë mekanizëm i autoriteteve kosovare që i mbron ata.

Kjo vrasje, madje mund të shërbej si precedent që të ftuarit e radhës në këtë cilësi, të largohen nga Kosova me kërkesë të organit ndjekës të Hagës. Avokati i akredituar nga Specialja, Teki Bokshi, i ka thënë lajmi.net se Specialja ka të gjitha mekanizmat që ta bëj një gjë të tillë.

Lajmi.net ka kontaktuar me Policinë e Kosovës për t’i pyetur nëse kanë bashkëpunim me Gjykatën Speciale, të njëjtin kanë thënë se pyetjet duhet të adresohen në autoritetin kompetent. Ndërkohë, ministria e Drejtësisë nuk ka kthyer përgjigje për çështjen në fjalë.

E qartë është që Specialja nuk ka kërkuar të bashkëpunojë me Prokurorinë Speciale.

“Gjykata Speciale nuk ka kërkuar bashkëpunim nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e prokurorisë.

Përkundër bashkëpunimit të mangët me institucionet e drejtësisë në Kosovë, Specialja po vazhdon të dërgojë ftesa ndaj ish-ushtarëve të UÇK-së të cilët po dyshohen për krime lufte.