Banka Botërore aprovon 46 milionë euro kredi për Kosovën

Ministria e Financave ka njoftuar se Asociacioni Zhvillimor Ndërkombëtar, pjesë e Bankës Botërore, më datë 20 maj 2020, ka aprovuar kredinë 46 milionë euro për Projektin e Emergjencës COVID-19

Sipas Ministrisë së Financave, këto mjete do të destinohen për forcimin e sistemit shëndetësor.

“Mjetet financiare do të destinohen për parandalimin, zbulimin dhe reagimin ndaj kërcënimit të paraqitur nga COVID-19, duke mundësuar ndër të tjera, prokurimin e pajisjeve mjekësore, si dhe forcimin e sistemit shëndetësor publik, duke i rritur kapacitetet e testimit dhe zgjerimin e kapaciteteve të Klinikës së Sëmundjeve Infektive. Për më tepër, në kuadër të kësaj kredie, do të mbështeten skemat e ndihmave sociale dhe amvisëritë sipas Pakos Emergjente Fiskale të Qeverisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e MF-së.

Asociacioni Zhvillimor Ndërkombëtar, njohur ndryshe si “International Development Association – IDA”, si pjesë e Bankës Botërore, është institucion kredidhënës, i cili përmes huadhënies në kushte më të favorshme sesa të tregut financiar, synon të ndihmojë ndër të tjera reduktimin e varfërisë dhe përmirësimin e kushteve jetësore.

Projekti i Emergjencës COVID-19 është arritur pas një bashkëpunimi të ngushtë mes Ministrisë së Financave dhe Transfereve dhe Ministrisë së Shëndetësisë në njërën anë dhe Bankën Botërore në anën tjetër.