Aziz Salihu në AAK

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, nuk është vetëm duke u braktisur nga anëtarësia e saj, por edhe duke mbledhur fuqi të re. Dega e saj në Prishtinë pritet që së shpejti të përforcohet edhe me një boksier. Jo boksier dosido, por legjendar.

Burime të Indeksonline tregojnë se AAK-së së shpejti do t’i bashkohet edhe legjenda e boksit, Aziz Salihu.

Legjenda Aziz Salihu, disa herë kishte shprehur pakënaqësi publike. Ai që dikur e shfrynte mllefin e tij mbi boksierët e huaj, para disa kohësh kishte shfryrë mllefin edhe për politikën, duke shqyer dekoratën e presidentes Jahjaga.

Boksierit kosovar me shpirt luftaraku, si duket më së shumti po i flenë shpirti afër liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj. Por, vendimmarrës për legjendën e boksit që t’i bashkohet AAK-së, siç mëson Indeksonline, ka qenë performimi i parmbrëmshëm i Haradinajt si këngëtar në emisionin “Portokalli”. Pasi që e kishte dëgjuar, kishte vendosur që t’i dorëzohet i tëri AAK-së.

“Kurrë më të disponuar se kemi parë Azizin. Melodia e këngës ‘Moj Kosovë, moj bukuroshe’ dhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, si hiqeshin prej goje. Ishte shumë qejfli, sepse i kishte pëlqyer shumë dhe kishte vendosur që t’i bashkohet aleancës së tij për një drejtim të ri”, thotë ky burim i afërt me legjendën e boksit, Aziz Salihun.

Në zgjedhjet e kaluara, pjesë e listës së kandidatëve të AA-’së për Prishtinën ishte edhe “Vajza e boksierit”, siç e ka quajtur veten përmes një kënge, Monika Salihu. Por, ajo kishte marr vetëm 53 vota.
Mbase babai i saj, legjenda Aziz Salihu nuk do të jetë pjesë e listave zgjedhore, por ai do të shërbej vetëm si këshilltar i liderit të AAK-së për rritjen e muskujve ose do t’ia thonë ndonjëherë këngës së bashku, megjithatë kjo mbetet të shihet në të ardhmen.

Indeksonline ka provuar ta kontaktoj legjendën e boksit Aziz Salihun për të marrë një deklaratë prej tij për mundësinë e anëtarësimit në AAK, mirëpo kontakti me të ishte i pamundur.