Asnjë reagim zyrtar, vazhdon heshtja e VV-së karshi marrëveshjeve të ndërmjetësuara nga SHBA-të

Kosova dhe Serbia nga sot kanë dy marrëveshje më shumë të arritura me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve.

Hekurudhat dhe autostradat janë dy sektorët për të cilët sot, me ndërmjetësimin e Richard Grenell, të dërguarit të posaçëm të presidentit amerikan, Donald Trump u arrit marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë.

Kjo marrëveshje, ashtu sikur ajo për linjën ajrore Prishtinë – Beograd, po kalon në heshtje nga kryeministri i ri i vendit, Albin Kurti, dhe partia e tij.

Në fakt, nga kjo parti nuk ka pasur ende asnjë reagim zyrtar në lidhje me ngjarjet e sotme dhe nënshkrimin e marrëveshjeve të reja me Serbinë.

Kurti kishte zgjedhur heshtjen edhe kur ishte arritur marrëveshja për linjën ajrore mes Prishtinës e Beogradit, ani pse një e tillë ishte përshëndetur edhe nga vetë presidenti i SHBA-ve, Donald Trump.

Lajmi.net ka tentuar gjatë ditës të marrë një pëgjigje nga zyrtarët e VV-së në kabinetin qeveritar, mirëpo të njëjtit nuk kanë kthyer një të tillë.

Sidoqoftë, sot ka pasur disa reagime nga aktivistë të VV-së, të cilët kanë dalë kundër marrëveshjeve, e për të cilat kanë raportuar mediat.

E rol primar në Qeveri lidhur me këto marrëveshje ka marrë Lidhja Demokratike e Kosovës.

Përmes dy zyrtarëve të lartë të saj, Skënder Hysenit dhe Agim Veliut, ky i fundit ministër i Brendshëm i Kosovës i kanë përkrahur këto marrëveshje.

Veliu përmes një postimi në Facebook më herët gjatë ditës tha se secila marrëveshje që çon në normalizim është e mirëpritur.

 

Ndërkohë, kryeministri Kurti sot ka udhëtuar për në Mynih ku edhe do të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë që po mbahet atje, teksa nuk dihet nëse do të flasë edhe për çështjen e arritjes së marrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë.

Për heshtjen e tij karshi këtyre çështjeve, Kurti së fundmi ka marrë kritika të forta edhe nga ish-bashkëpartiakët e tij të PSD-së.

Ky subjekt përmes një komunikate për media ka akuzuar ashpër Kurtin për qasjen e tij, ndërsa kanë thënë se i pari i Qeverisë ka zgjedhur “politikën e strucit” përballë marrëveshjeve që ata i konsiderojnë të dëmshme për Kosovën.

Kujtojmë se administrata e presidentit Trump që nga emërimi i të dërguarit të posaçëm për dialogun Kosovë- Serbi, kanë pasur sukses të theksuar teksa vetëm brenda katër muajve janë arritur tri marrëveshje.