Artan Muhaxhiri: Presioni i madh nga jashtë e vetmja mënyrë për marrëveshje Kosovë-Serbi

Analisti politik, Artan Muhaxhiri, ka thënë se që nga viti 1991 në Ballkan është e qartë se si janë arritur marrëveshjet dhe se si janë zgjidhur problemet.

 

“Edhe në rastin e Bosnjës, Kosovës dhe Maqedonisë, posaçërisht në raport me Kosovën dhe Serbinë, problemet janë zgjidhur kur ka pasë presion të madh dhe agjendë të imponuar”, ka thënë Muhaxhiri, njofton Klan Kosova.

“Përndryshe është e pamundur që të arrihet çfarëdo marrëveshje. E vetmja mënyrë e logjikshme dhe realiste për pajtueshmëri është presioni i madh nga jashtë”.

“E shohim si ka vepruar BE, ka qenë një amulli, neglizhencë, ndaj kohës dhe qytetarëve të Kosovës dhe pas sa viteve dialog ka paqartësi më të mëdha sesa ka pasur në fillim”.

Muhaxhiri në Analiza Zgjedhore ka thënë se i vjen mirë që në çështjen e dialogut Kosovë-Serbi, SHBA e ka dërguar Richard Grenell i cili përshkruhet me shprehjen ‘Buldozeri’.

“Është profil i tillë sepse politikanët në Kosovë dhe Serbi e kuptojnë vetëm këtë gjuhë. Pa një presion të ashpër me pika pohore të përcaktuara dhe me një lloj kërcënimi që nëse nuk ka aspak vullnet si nga pala kosovare dhe serbe kjo punë mund të anulohet dhe status-quo mund të vazhdojë për dekada të tëra”.