Arrestohet personi që mbante ilegalisht lokalin për lojëra të fatit

Policia e Kosovës ka arrestuar një person në Gllogjan të Deçanit, pasi që i njëjti mbante hapur ilegalisht një lokal të lojërave të fatit.

Policia e Kosovës në fshatin Gllogjan të komunës së Deçanit ka realizuar një plan operacional, me ç’rast është kontrolluar dhe bastisur një lokal.

“Pas një pune intensive operativo – hetimore, Njësiti i Hetimeve nga Stacioni policor Deçan dhe njësitet tjera në detyrë, me urdhër të Gjyqtarit të Gjykatës themelore në Pejë, dega Deçan, duke u koordinuar edhe me prokurorin e shtetit kanë realizuar bastisje të një lokali, nën dyshimin që ishin duke organizuar-lojëra të fatit ‘skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm’”, thuhet në njoftim.

Brenda në lokal janë gjetur një numër i konsiderueshëm i pajisjeve që shërbejnë për lojëra të fatit ‘ bastore sportive’, të cilat janë sekuestruar nga hetuesit policor.

Është arrestuar i dyshuari shtetas shqiptar i Kosovës, SH.S., pronar i lokalit, dhe me urdhër të Prokurorit të shtetit është dërguar në mbajtje për 48 orë.