Arben Ahmeti godet Enver Robellin: Albini nuk të bën ambasador

Analisti Arben Ahmeti ka reaguar ashpër ndaj çasjes së gazetarit Enver Robelli karshi kandidatit për kryeministër Albin Kurti, të cilin  e quan zëdhënës të këtij të fundit.

 

Ahmeti ia ka përmendur Robellit në Facebook faktin që është i dënuar për shpifje nga një gjykatë zvicerane dhe se Kurti nuk do ta bëjë kurrë atë ambasador atje.

 

 

‘’Tregoni të dënuarit për shpifje nga një gjykatë zvicerane, Enver Robellit, se as Albin Kurti nuk do ta bëjë ambasador në Zvicër duke u munduar t’ia bëjë zëdhënsin. Për zhgënjimin tënd, Bini ngjan shumë në Hashimin në këtë pikë. Veç i mbanë zhagë ata që i ulën në prehër.

Nuk të ka bërë Hajredini e Hashimi, nuk të bëjnë as Albini e Salihi.

Sepse ti e soji yt e gërditni edhe atë që e mbështetni me kalkulim personal në çdo shkronjë…’’, ka shkruar Ahmeti.

Robelli ka disa ditë që po  e promovon Albin Kurtin përmes postimeve të tij në rrjete sociale.

Në njërin prej tyre, ai shkruan:

‘’«Der Spiegel»: Albin Kurti është antiautokrat, i pathyeshëm dhe i pakorruptuar, për Ballkanin Perëndimor humbja e autokracisë së korruptuar është sinjal i fuqishëm

Revista e njohur gjermane e quan suksesin e Albin Kurtit në zgjedhjet e Kosovës si sinjal të mirë për mbarë rajonin.’’.

Më 2016, një Gjykatë në Zurich të Zvicrës kishte dënuar për shpifje Enver Robellin

Në bazë të vendimit të gjyqit, Robelli ishte gjobitur me 1500 franga zvicrane (6 mijë franga nëse e përsërit veprën) dhe me detyrimin për t’i paguar shpenzimet e gjyqit.

Më 4 mars 2015, Behgjet Pacolli kishte paralajmëruar padi ndaj Robellit përmes një postimi në Facebook. Presidenti i AKR’së kishte bërë akuza të rënda në adresë të gazetarit, duke e akuzuar madje se i kishte kërkuar 60 mijë euro për t’ia shkruar biografinë.

“Ky njeri, pas intervistave pozitive që më ka bërë në Kohën Ditore më ka kërkuar 60 mijë euro, për të shkruar librin e jetës sime. Ka dhe dëshmitarë për këtë kërkesë e kjo daton nga atëherë kur unë hyja në politikë. Ja kam refuzuar kërkesën e tij, dhe prej atëherë ai vazhdimisht ka shpifur pa u lodhur duke denigruar figurën time, emrin tim, biznesin tim, partinë time. Kam heshtur shumë gjatë e tani nuk do ta duroj më. Intervistat dhe profilet që ky njeri më ka botuar në gazetën Koha Ditore pak kohë para se unë të hyja në politikë janë plot me vlerësime pozitive në adresën time”, kishte shkruar Pacolli.

“Vërtet më u shtjerr durimi. Unë këtë njeri nuk e duroj dot më. Prita se mos një ditë do të bënte shqyrtimin e ndërgjegjes së vet dhe do të ndalej, por nuk e bëri. Do ta përndjek gjyqësisht në të gjitha nivelet e drejtësisë, posa të kthehem në Kosovë nga kjo rrugë. Le të provojë shpifjet e veta para drejtësisë se unë paskam thënë se “Serbia është nëna e Kosovës”, ose “unë nuk isha Konzull nderi i Liberisë” e shumë denigrime e ofendime tjera”, kishte shkruar ai.