Ambasadori gjerman në Serbi, për taksën: Shpresoj se së shpejti do të kemi sukses

Ambasadori gjerman në Serbi, Thomas Schieb, tha se ideja e mbledhjes së liderëve të Ballkanit Perëndimor më 29 prill në Berlin do të përgatiste një terren për dialog midis Serbisë dhe Kosovës.

“Shpresojmë që taksa ndaj produkteve serbe së shpejti të shfuqizohet dhe të krijohen kushte për vazhdimin e dialogut”, tha Schieb për televizionin N1, shkruan b92.

“Fakti është se raportet nuk janë të mira dhe se dialogu është pezulluar, nuk ka komunikim. Kjo duhet të tejkalohet. Tarifat duhet të tërhiqet”, citohet të ketë thënë tutje ai, përcjell Telegrafi.

Po sipas mediumit serb, diplomati gjerman vuri në dukje se taksat janë “për keqardhje” dhe se padyshim është për t’i bindur autoritetet e Prishtinës për tërheqjen e tyre.

“Shpresoj se së shpejti do të jemi të suksesshëm”, tha Schieb, duke shtuar se do të krijohen kushte për vazhdimin e dialogut.

I pyetur rreth qëndrimit të Berlinit nëse Beogradi duhet të vazhdojë dialogun pa marrë parasysh taksën, ai tha se “në parim, mund të vazhdojë” por se “e kupton pozicionin e Beogradit”.

Gjithashtu, sipas tij, qëllimi i takimit me krerët e Ballkanit Perëndimor më 29 prill në Berlin është të tregojë angazhim dhe përkushtim ndaj Ballkanit Perëndimor.

Ai thekson se organizatorët e takimit nuk duan të ketë pritje shumë të larta.

“Është e rëndësishme që të gjithë aktorët të mbeten në komunikim”, ka thënë ambasadori gjerman