A po e kushtëzon Kurti njohjen e verdiktit të Gjykatës Kushtetuese?

Janë bërë tashmë më shumë se tre javë prej kur Gjykata Kushtetuese mori vendim për pezullimin e dekretit të Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi për të nominuarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër, Avdullah Hotin.

E gjithë kjo situatë e krijuar pas rrëzimit të qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Kurti me anë të mocionit të mosbesimit me mbi 81 vota, derisa dhe tash e rreth dy muaj e njëjta vazhdon të jetë në detyrë.

E për formimin e qeverisë së re pa shkuar në zgjedhje, LDK është zotuar se i ka numrat, në një koalicion me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismën Socialdemokrate. Por, për të parë nëse një gjë e tillë është në rregull nga aspekti legal, duhet pritur verdikti i Gjykatës Kushtetuese mbi dekretin e presidentit për Avdullah Hotin.

Ky dekret është dërguar për interpretim në Gjykatën Kushtetuese nga Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa të gjitha subjektet e përfshira në proces kanë dërguar argumentet e tyre në Gjykatë.

Përderisa të gjitha subjektet nominalisht janë zotuar të respektojnë vendimin e Kushtetueses, gjuha e tyre dhe veprimet politike lënë të kuptohet se i njëjti do të respektohet vetëm nëse është në favor të tyre.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ani pse është zotuar se do të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, këtë e ka kushtëzuar duke thënë se i njëjti duhet të jetë interpretim i Kushtetutës.

“Do ta respektojmë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, përderisa është interpretim i Kushtetutës”, ka thënë Kurti shkurt para mediave dje gjatë vizitës së tij në Dubravë.

Kurti me anë të kësaj deklarate lë të kuptohet se nuk do të respektojë çfarëdo vendimi tjetër të Gjykatës Kushtetuese, përveç nëse është interpretim i Kushtetutës.

E në vijë me shefin e saj ka qenë edhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ajo gjatë ditës së djeshme nëpërmjet një postimi në Facebook ka potencuar të njëjtën gjë.

Ajo ka thënë se: “qytetarët kanë të drejtë të revoltohen” duke e arsyetuar këtë vetëm me faktin e raportimeve që po çarkullojnë në media rreth vendimit të Gjykatës Kushtetuese për verdiktin sa i përket këtij dekreti.

Haxhiu konsideron se raportimet në media rreth verdiktit të Gjykatës ende pa u publikuar nga kjo e fundit, nuk është pavarësi e Gjykatës, por aktgjykim për interesa të Thaçit, duke vënë edhe njëherë në dyshim punën e institucionit më të lartë të drejtësisë.

“Nëse është kështu, atëherë kjo nuk është pavarësi e Gjykatës. Vendimi i tillë është arnim i aktgjykimit për interesa të Thaçit dhe atyre që kanë humbur zgjedhjet dhe janë braktisur nga populli. Gjykata në mandat të saj, ka vetëm interpretimin e Kushtetutës dhe jo amendamentimin e saj. Amendamente kushtetuese mund të propozojnë vetëm Qeveria, Presidenti dhe 1/4 e deputetëve por pastaj ato duhet të votohen nga Kuvendi.”, thotë Haxhiu më tutje.

E në anën tjetër, presidenti Thaçi është zotuar se do të respektojë vendimin e Kushtetueses.

“Sapo u njoftova për vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës. Si President i Republikës së Kosovës do ta respektoj në plotëni këtë vendim. Kosova ka tashmë një përvojë të çmueshme në respektimin e të gjitha vendimeve dhe aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese. Kjo përvojë është një dëshmi e fuqishme e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës. Si President i Republikës së Kosovës i ftoj të gjithë politikanët dhe subjektet politike në vend, që të sillen me maturi në respektim të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.”, pati shkruar Thaçi në ditën kur u bë publik vendimi për pezullimin e këtij vendimi.

Por, i njëjti shpesh herë ka deklaruar se vendi nuk mund të jetë siç e quan ai “i bllokuar” dhe nuk guxon të mbetet i udhëhequr nga një qeveri në detyrë. Ai ka deklaruar se funksioni i tij është sigurimi i stabilitetit qeverisës dhe për këtë aludon në vendimin pro-dekretit të tij nga Gjykata Kushtetuese.

Në anën tjetër, nga Vetëvendosje dhe vet kryeministri në detyrë Kurti kanë deklaruar se çfarëdo vendimi tjetër i Gjykatës Kushtetuese përveç atij që favorizon Vetëvendosjen mund të përcillet me protesta, pasi siç pretendojnë ata, “do të ishte kundër vullnetit të popullit”, dhe nuk ka bazë legale.

E vet Kurti, në fillim të muajit maj, kishte nisur një letër drejtuar Gjykatës Kushtetuese që në përmbajtjen e saj ishte plot dyshime për joprofesionalizëm, shkelje të ligjit, anshmëri në vendim. Në këtë shkresë drejtuar kryetarës së kësaj Gjykate, Arta Rama në lidhje me trajtimin e kushtetutshmërisë së vendimit të dytë të ekzekutivit për kufizimin e lirë së lëvizjes së qytetarëve në kohë pandemie e që më vonë do të shpallej si anti-kushtetuese nga Gjykata.

Nga krahu tjetër edhe kabineti i Thaçit në publikimet e tyre në rrjetet sociale kanë shkruar duke tentuar të artikulojnë arsyet se pse Gjykata Kushtetuese duhet të vendosë pro dekretit të presidentit.

Lidhur me krejt këto, Gjykata Kushtetuese nëpërmjet një reagimi ka kërkuar nga presidenti Thaçi dhe kryeministri në detyrë Kurti që t’i ndalojnë presionet e tyre mbi Gjykatën Kushtetuese.

“Gjykata Kushtetuese po ndjekë me shqetësim diskursin publik kërcënues që po zhvillohet ditëve të fundit nga Presidenti dhe Kryeministri në detyrë, si dhe bartës të tjerë të funksioneve institucionale dhe politike, të cilët duke akuzuar njëri-tjetrin për presion ndaj Gjykatës Kushtetuese nga pala tjetër, po mundohen të ndikojnë apo paragjykojnë vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese për çështjen e dekretit të Presidentit për caktimin e mandatarit për krijimin e Qeverisë së re. Gjykata Kushtetuese e dënon ashpër këtë ndërhyrje në pavarësinë e vet institucionale, si dhe përpjekjen e akterëve politik dhe institucional për të përfshirë Gjykatën Kushtetuese në debate politike ditore.

Gjykata Kushtetuese dënon po aq ashpër edhe përfoljen e gjyqtarëve individual, si persona që kanë autorizime apo përgjegjësi vendimmarrëse individuale në këtë çështje. Gjykata Kushtetuese rikujton se vepron si tërësi, në bazë të dispozitave kushtetuese dhe ligjore që qeverisin vendimmarrjen e saj. Gjykata Kushtetuese siguron publikun se nuk do t’i nështrohet presioneve dhe kërcënimeve të tilla, dhe se nuk ka nevojë për mbrojtje politike apo publike nga askush, sepse Kushtetuta dhe ligji ia ofrojnë të gjitha garancitë e nevojshme për të vepruar në mënyrë të pavarur dhe të paanshme. Në fund, Gjykata Kushtetuese fton të gjitha palët në procedurë që të përmbahen nga komentet dhe veprimet që synojnë të ndikojnë apo paragjykojnë vendimarrjen e Gjykatës Kushtetuese, në këtë apo cilëndo çështje tjetër.”, thuhej në reagimin e kësaj Gjykate.

Ende nuk dihet se cili do të jetë verdikti i Gjykatës Kushtetuese lidhur me dekretin e presidentit Thaçi për të nominuarin e LDK-së për kryeministër, por bazuar në diskursin politik të subjekteve të përfshira – cilido të jetë vendimi, reagimet do të jenë të ashpra nga pala që “humb”, nga kjo betejë.