A mund të ketë përçarje të dytë brenda Vetëvendosjes?

Gjatë ditëve të fundit u raportua se brenda Lëvizjes Vetëvendosje ka mospajtime dhe pakënaqësi.

Për shkak të qëndrimeve të kundërta ndërmjet Albin Kurtit dhe Glauk Konjufcës sa i përket çështjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në medie edhe sot u raportua se ka tensione dhe pakënaqësi brenda Lëvizjes Vetëvendosje.

E tërë kjo nisi për shkak të deklarimeve të Konjufcës, qëndrime të kundërta me Kurtin, por edhe me mospjesëmarrjen e tij në mbledhjen e fundit të Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje.

Njohësit e çështjeve politike në vend, kanë mendime të kundërta në lidhje me pakënaqësitë dhe përçarjen eventuale që mund të ndodhë përsëri në Vetëvendosje.

Politologu Ramush Tahiri ka thënë për lajmi.net, se në secilën parti mund të ketë mospajtime dhe se edhe në rast se Kurti dhe Konjufca kanë mospajtime ata do të ulen do të t’i sqarojnë të gjitha, kjo pasi që sipas tij, Kurti dhe Konjufca janë themelues të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Vetëvendosje është një Lëvizje ose një parti serioze e cila unë kamë qejf që me qenë unike do me thënë si dëshirë, politolog ose si qytetar i Kosovës dhe jo me pas përçarje. Unë gjithashtu kam dëshirë që Vetëvendosjen varësisht prej planit dhe programit me ec përpara dhe me pas ndikim në opinion por edhe me e votua qytetarët siç e kanë votua deri tash. Si çdo parti tjetër edhe Vetëvendosje i ka fraksionet brenda edhe do t’i ketë fraksionet edhe do t’i ketë mendimet e ndryshime, kjo nuk është aspak telashe për cilëndo parti që është moderne dhe që është demokratike edhe që janë lideriste. Edhe kështu e shoh edhe Vetëvendosjen por problemet ose telashet fillojnë kur këto thuhet publikisht edhe përmes gazetave, mediumeve, e portaleve i jepet porosi njëri-tjetrit brenda Vetëvendosjes. Do me thënë çdo debat që zhvillohet në kryesi, këshill, edhe në çfarëdo forumi edhe në grup parlamentar është i mirëseardhur edhe është mirë që nuk është i uniformuar sepse partitë nuk funksionojnë vetëm në bazë të liderit edhe lideri me e ndërtua vetë mendimin por edhe nëse e thotë lideri ai duhet me me ndërtua me bashkëpunëtorët dhe në debat demokratik. Edhe në këtë bazë është kjo që e vërej unë. Sa i përket dallimeve që shfaqen ndërmjet Kurtit dhe Konjufë, që të dy janë pak a shumë themeltar të Lëvizjes Vetëvendosje, që të dy janë pothuajse të së njëjtës gjeneratë edhe të dy janë të mendimit të lirë dhe mendimit të mirë dhe kritik. Konkretisht që ka të bëj me dallimin e vlerësimeve ta zëmë Shkëlzen Gashit, ose dikujt tjetër rreth UÇK-së. Kjo ka të bëj me jo me koncepte të ndryshme por me me trajtim rreth një deklarate”, deklaroi Tahiri.

Sipas tij, nisur nga kjo, nuk ka ndonjë dallim substancial në mes të Kurtit dhe Konjufcës.

“Ajo që dua të them nuk shoh dallime substanciale ndërmjet Albin Kurtit edhe Glauk Konjufcës, nuk shoh përthellime madhore të dy e kanë peshën në parti nuk është që Konjufca e dëgjon dhe është i dëgjueshëm dhe e respekton çdo gjë që thuhet ose nga lideri apo nga kushdo tjetër, por Konjufca sikurse edhe lideri Albin Kurti, i nënshtrohen vendimeve që merren në parti edhe që duhet të zbatohen. Përndryshe s’ka një politikë unike. Vetëvendosje duhet të ketë politikë unike, pra në mënyrë që të mund të ec përpara dhe tash në momentin që ka hyrë në qeveri ajo ka përgjegjësi krejt tjera, ka edhe përgjegjësi shtetërore nuk është që zbaton 100 për qind programin e saj sepse nuk e ka zbatuar asnjë parti që ka qenë në qeveri, jo pse nuk do por sepse duhet me e harmanizua edhe pse prej pushtetit e sheh ndryshe situatën varësisht prej asaj që e ka parë në opozitë”, u shpreh Tahiri për lajmi.net.

Por pavarësisht këtyre mospajtimeve apo mospërputhjeve në deklarata që mund të jenë në mes të Kurtit dhe Konjufcës, Tahiri thotë se nuk beson që mund të ketë përçarje të dytë brenda Vetëvendosjes siç ndodhi me PSD-në.

“Si përfundim nuk shoh që do të ketë dallime dhe përçarje mes Konjufcës dhe Kurtit sepse çdo dallim e harmonizojnë në debat sepse e kanë një synim të përbashkët dhe nuk besoj se asnjëri dhe as tjetri dëgjojnë zërat nga jashtë që të thellohet kjo përçarje dhe që Vetëvendosje edhe një herë të përçahet siç ndodhi me PSD-në, ose të përçahet siç ndodhi LDK-ja me Dacin ose PDK-ja me Nismën”, theksoi Tahiri.

Edhe analisti politik, Shkodran Ramadani thotë se nuk beson që mund të ketë një përçarje të dytë brenda Lëvizjes Vetëvendosje.

Ramadani ka thënë për lajmi.net, se deri te kjo ka ardhur si pasojë e qëndrimeve dhe deklarimeve të kundërta në mes të Kurtit dhe Konjufcës.

“Si duket ka tensione të brendshme mes Albin Kurtit dhe Glauk Konjufcës për shkak të mos pajtimeve të tyre për menaxhimin e kohës sa Vetëvendosje ka qenë krye të vendit në qeveri e sidomos në raport me Shtetet e Bashkuara të Amerikës me sjelljen e Kurtit në raport me ta dhe mospajtimin e Glaukut në raport me këtë dhe kjo ka shkaktuar plasaritje edhe çarje të brendshme e cila është përshkallëzuar edhe me debatin për deklaratat e Shkëlzen Gashit, ish-këshilltarit të kryeministrit Kurtit për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe krimet ndaj civilëve serbë. Por edhe për menaxhimin e koalicionit me LDK-në, pra kanë qenë këto tri çështjet të cilat e kanë krijua mospajtime dhe duket që tensionet janë shoqëruar edhe brenda në takimet e brendshme të Lëvizjes Vetëvendosje”, tha Ramadani.

Mirëpo ai thotë se pavarësisht të gjithave, nuk beson që mund të ketë një përçarje të dytë brenda Lëvizjes Vetëvendosje. Sipas Ramadanit edhe po që se ndodhë një gjë e tillë edhe duke e ditur fuqinë me vota të Konjufcës, numri i atyre që do t’i bashkoheshin Konjufcës do të ishte i vogël, kjo krejt për shkak të fatit që kishte PSD-ja pas ndarjes nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Sa i përket asaj se sa mundet, unë nuk besoj që kjo ende mund të çoj në ndarje të dytë të Vetëvendosjes por vetëm mbetet të shihet si do të përfundojë, por edhe nëse ndahet nuk besoj që mund të dalin shumë njerëz nga Vetëvendosje për shkak se e kanë parë fatin e PSD-së dhe të aterrimit sidomos që tash janë futur në Vetëvendosje dhe do të kenë frikë të futen në aventura të tilla. Por e pamë që Kurti ka shpërndarë një foto në Instagram ku ai e vlerëson lartë punën e Besnik Bislimit dhe të Vlora Haxhimehmedit edhe për shumë kënd ky ishte një sinjal për Glauk Konjufcën që më nuk është personi apo krahu i djathtë i Kurtit sipas asaj që mund të interpretoj dikush megjithëse mund të jetë një interpretim i sforcuar kështu”, i shpreh Ramadani.

Në anën tjetër zyrtarë nga Lëvizja Vetëvendosje për lajmi.net e kanë mohuar në mënyrë kategorike se ka pakënaqësi apo tensione brenda këtij subjekti politik, përkatësisht në mes Albin Kurtit dhe Glauk Konjufcës, ashtu që këta zëra sipas këtyre zyrtarëve janë vetëm shpifje.