9 drejtorë të kompanive të sigurimeve kundërshtojnë vendimin e BQK-së për zbritjen e tarifave kufitare

Pas vendimit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës për të aprovuar kërkesën e Kryesuesit të Asamblesë së Përgjithshme të Byrosë Kosovare të Sigurimeve, Rrahim Pacollit për zbritjen e tarifave kufitare për 50 %, vendim i cili hyri në fuqi nga data 1 korrik 2015, kanë reaguar 9 drejtorë të kompanive të sigurimeve duke kundërshtuar vendimin e BQK-së për zbritjen e tarifave kufitare.

Ja njoftimi i plotë

Në një ftesë të pranuar për mbledhje të Asamblesë së Përgjithshmë të BKS-së nga 9 drejtorë të kompanive të sigurimeve, hasa në një pikë të rendit të ditës ku shënonte:

Trajtimi ligjor i  Vendimit të BQK-së për uljen e Primit të Policës Kufitare.

Nuk arrij të kuptoj se si këta individë dalin jashtë kompetencave që kanë e tentojnë të kundërshtojnë vendimet e marra nga organi mbikqyrës, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK). Përveç kësaj, ata tentojnë të pengojnë lirinë e lëvizjes së lirë, interesat e qytetarëve dhe të shtetit  të Kosovës, duke marrë parasyshë se nuk është hera e parë që kundërshtojnë vendime apo marrëveshje lidhur me çështjen e sigurimeve.

Me keqardhje them se, po të vepronin në këtë mënyrë në ndonjë shtet tjetër të Evropës, nuk do të shpëtonin pa u ndëshkuar.

Andaj i drejtohem Qeverisë së Republikës së Kosovës , që të ndërmarrin hapat të mëtutjeshëm ndaj atyre që kundërshtojnë vendime të BQK-së.

Duke krahasuar raportet e shitjes së policave nëpër pikat kufitare  të 1 dhe 2 Korrik 2014 me ato të 1 dhe 2 Korrik 2015, kemi vërejtur se numri i policave të shitura në vitin 2014 ka qenë 2,274 ndërsa këtë vit është 3,627. Kjo dëshmon se ulja e tarifave të sigurimeve kufitare ka qenë e mirëpritur dhe bashkëatdhetarët po vazhdojnë të japin kontribut në shtetin e tyre.

Si përfundim, falenderoj Byronë Kosovare të Sigurimeve (BKS) e cila është duke u kujdesur maksimalisht që të gjithë bashkëatdhetarët të paisen me polica të sigurimit, pa patur nevojë të presin gjatë nëpër pika kufitare.