8 vjet dialog për vizat, kosovarët ende të izoluar

Dje janë bërë fiks 100 muaj që nga lansimi i dialogut për liberalizimin e vizave për Kosovën. Mirëpo edhe pas tetë vitesh, kosovarët nuk mund te lëvizin pa viza për në Zonën Shengen.

Megjithëse, Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian kanë dhënë dritën e gjelbër për liberalizimin e vizave për Kosovën, Këshilli i Ministrave i BE-së ende nuk e ka bërë këtë, për shkak se disa nga vendet anëtare të BE-së konsiderojnë se Kosova nuk e ka përmbushur kriterin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar të nivelit të lartë.

Ish-zëvendësministri i Integrimeve Evropiane, Lirak Çelaj duke folur për lajmi.net rreth procesit të tejzgjatur të vizave, ka thënë se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret. Por sipas tij, kjo tanimë është çështje politike.

Ai po ashtu thotë se krahas shteteve tjera, BE i ka vendosur Kosovës 3 herë më shumë kritere. Madje ai mosliberalizimin e vizave e lidh me dialogun Kosovë – Serbi.

“Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret që janë paraparë për liberalizimin e vizave, madje krahas shteteve tjera kemi pasur 3 herë më shumë kritere. Dhe kjo është deklaruar edhe zyrtarisht edhe prej institucioneve të BE-së që Kosova i ka përmbushur kriteret. Unë mendoj së është çështje politike që nuk është aprovuar ende liberalizimi i vizave. Është çështje individuale e shteteve që kanë qasje të ndryshme ndaj Kosovës. Dhe nuk ka ndonjë agrumet që përmendet shpesh këtu, qoftë lufta ndaj korrupsionit. Unë mendoj që është çështje politikë, përceptimi im është që ka të bëjë me dialogun Kosovë- Serbi dhe kjo po na mban peng për liberalizmi të vizave”, ka thënë Çelaj.

Ai po ashtu ka thënë se çështja e vizave nuk ka ngecur për shkak të lobimit, por që thotë se është çështje e shteteve që kanë qëndrimi të kundërt ndaj Kosovës.

“Kjo punë nuk ka ngec për mungese të lobimit, është bërë lobin është diskuar. Ata kanë thënë troç në disa rast, që e dim që i keni plotësuar kushtet, por filan shteti ka qëndrim të tillë. Është një raport që BE e ka bërë me gjithë rajonin, është një stagnim i gjithë rajonit, ju e dini që Maqedonia me Shqipëri u ahpën negociata për antarësim, dmth në pako të kësaj është ngrit po thujse gjithë gjendja e raportit të Ballkanit të këtyre gjashtë shteteve me BE-në, në ëktë aspekt ne kemi mbet në një fazë ma mbrapa pa fajin tonë”, ka thënë Celaj.

Ndërsa, Visar Xhambazi, analist nga organizata Demokracia për Zhvillim ka thënë për lajmi.net se edhe pjesën më të madhe të përgjegjësisë e bartin institucionet e Kosovës, ai thotë se në momentin kur komisioni LIBE dhe Komisioni Evropian rekomanduan liberalizimin e vizave, përgjegjësia u bart në Evropë.

“Është e vërtetë që pjesën më të madhe të përgjegjësisë e bartin institucionet Kosovare, liderët e së cilës nuk reshtën së premtuari liberalizimin e vizave duke garantuar data specifike se kur do të ndodhte një gjë e tillë. Mirëpo, në momentin kur komisioni LIBE dhe Komisioni Evropian rekomanduan liberalizimin e vizave për Kosovën, përgjegjësia u bart në Evropë”, ka thënë Xhambazi.

Ai po ashtu thotë se Bashkimi Evropian mban mbi supe barrën e përgjegjësisë.

“Kosova për momentin mundet vetëm të shpresojë deri në vendimin final për liberalizim të vizave. Gjithashtu, Bashkimi Evropian mban mbi supe barrën e përgjegjësisë, sepse te thuhet se Kosova ende ka nevojë të luftojë krimin dhe korrupsionin si kriter për Liberalizim të Vizave dhe në anën tjetër të mandatosh misionin më të shtrenjtë ne histori të BE-së, EULEX, për të luftuar krimin ne Kosovë, është një hipokrizi e llojit të vet. Për më tepër, ka disa shtete në Evropë që qëndrojnë në nivelin e njëjtë të korrupsionit si Kosova, mirëpo gëzojnë lirinë e lëvizjes”, ka thënë tuje ai.

Sipas, tij ky proces u bllokua në fazën finale, dhe tani mbetet në diskrecionin e Këshillit të Bashkimit Evropian, i cili përbëhet nga ministrat e brendshëm të shteteve anëtare, që ta merr vendimin final.

“Rruga e Kosovës drejt liberalizimit te vizave duket te jetë një maratonë e vërtetë. Ky proces filloi në fillim të vitit 2012, kur Komisioni Evropian u dorëzoi autoriteteve kosovare udhërrëfyesin për përmbushjen e kritereve. Kriteret u plotësuan në vitin 2016 dhe komisioni evropian LIBE rekomandoi liberalizimin e vizave, mirëpo bllokoi votimin përderisa Kosova të pëmrbushte edhe dy kritere specifike, ratifikimin e marrëveshjes për demarkimin e kufirit me Malin e Zi, si dhe përmirësimin e performancës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Pas ratifikimit të marrëveshjes, Komisioni Evropian i dha dritën e gjelbër liberalizimit të vizave, mirëpo procesi është bllokuar në fazën finale dhe mbetet në diskrecionin e Këshillit të Bashkimit Evropian, i cili përbëhet nga ministrat e brendshëm të shteteve anëtare, që ta merr vendimin final”, ka thënë Xhambazi.

Ndryshe, së fundmi presidenti i vendit Hashim Thaçi, ka qenë i zëshëm në kërkesën e tij karshi BE-së që të bëhet liberalizimi. Këtë kërkesë e bëri edhe në Samitin e Zagrebit.

Thirrje për liberalizimin e vizave kanë bërë edhe deputetët e Komitetit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian.

Ata i kanë bërë thirrje BE-së që ta sigurojë liberalizimin e vizave për Kosovën sa më shpejt të jetë e mundur.

Edhe raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola Von Cramon, bën kërkesë të vazhdueshme që vizat të liberalizohen për kosovarët, ndonëse, thotë se kjo është dashur të ndodhë shumë vite më parë.