22 të vrarë në betejën e Kumanovës

Bilanci i luftimeve të përgjakshme, që filluan të shtunën në orët e hershme të mëngjesit në lagjen “Kodra e Trimave” në Kumanovë, përfundoi tragjikisht për të dyja palët.

Epilogu i kësaj përleshjeje, siç raportojnë institucionet në Shkup, është 22 të vrarë, prej tyre 8 pjesëtarë të policisë maqedonase dhe 14 pjesëtarë të grupit të armatosur, i përbërë nga shqiptarët. Derisa nuk jepen detaje për civilë të vrarë në këtë lagje të Kumanovës, Ministra e Punëve të Brendshme në Maqedoni raporton edhe për 37 policë të plagosur dhe për disa kryengritës të arrestuar.

Ndërsa, krismat e automatikëve dhe shpërthime të fuqishme janë regjistruar edhe në mëngjesin e së dielës në rajonin e Kumanovës, derisa banorët e zonave ku janë zhvilluar luftimet janë evakuuar. Situata në qytetin, që gjendet vetëm 20 kilometra larg kryeqytetit Shkup, në 48 orët e fundit ka vazhduar të jetë tejet e tensionuar. Qeveria maqedonase, ndërkaq, e ka shpallur të përfunduar aksionin dyditor të armatosur që është zhvilluar në Kumanovë dhe se njoftimet zyrtare flasin se është neutralizuar grupi i armatosur, i cili është cilësuar si më i rrezikshmi në Ballkan.

Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, ka thënë se qëllimi i këtij sulmi ishte destabilizimi i Maqedonisë shkruan zëri.