20 vjet nga Beteja e Koshares

Beteja e Koshares e zhvilluar më 9 prill 1999 në kuadër të operacionit “Shigjeta”, është njëra ndër më të përgjakshmet dhe më heroiket e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Thyerja e kufirit Kosovë-Shqipëri më 9 prill 1999 shënoi jo vetëm një fitore morale për UÇK-në, por i hapi rrugë furnizimit me armatim dhe mbështetje logjistike për shumë zona të luftës në brendësi të Kosovës.

Përpjekjet për të arritur një marrëveshje që forcat serbe të tërhiqeshin nga territori i Kosovës, kishin rezultuar pa sukses. Ndërkohë, pas Rambujesë ishte formuar Qeveria e Përkohshme e Kosovës dhe caqet ushtarake dhe paramilitare serbe ishin sulmuar nga forcat e Aleancës veri-atlantike NATO.

Rënia e kufirit Kosovë-Shqipëri kishte edhe rëndësinë juridike në të drejtën ndërkombëtare. Kjo pamundësonte kontrollin e forcave serbe mbi territorin që ndante në mes një komb, shuante ndikimin e dhunshëm shtetëror dhe integritetin territorial të pretenduar.

Beteja e Koshares mbetet një nga përballjet e suksesshme të forcave të UÇK-së jo vetëm për bilancin e të vrarëve nga pala e armikut, por dhe me efektin që pati ky sukses në forcimin e besimit të popullsisë së zonës tek UÇK-ja dhe aleatët e saj. Kjo betejë u bë edhe motiv për shtimin e radhëve të vullnetarëve që i bashkoheshin UÇK-së në front.

Triumfi i luftëtarëve nga mbarë trojet e Kosovës, të bashkuar në Brigadën 138, në krye të së cilës ishte komandanti Agim Ramadani, bëri që të shembet muri gati njëqindvjeçar i vënë në mes të Kosovës dhe Shqipërisë. Beteja e Koshares ishte njëra ndër hallkat më të fuqishme në zinxhirin e pakëputshëm të historisë kombëtare dhe si e tillë do të përkujtohet gjithmonë ndër shqiptarë.

Për nder të 20-vjetorit të Betejës së Koshares nën përkujdesjen e kryeministrit Ramush Haradinaj sot mbahet manifestimi tradicional “Ditët e shqipes”.

Manifestimi fillon me homazhe në ora 10.00 te varrezat e dëshmorëve në Koshare ku pastaj do të mbahet një tubim përkujtimor, në ora 12.00.