​Sardi: Java e kuzhinës italiane, rezultat i partnerëve nga Kosova

Java e kuzhinës italiane për herë të parë po mbahet edhe në Kosovë, me një program të konceptuar nga Italian Trade Agency (ICE) dhe Instituti Italian i Kulturës, nën përkujdesen e ambasadës italiane në Prishtinë.  

Përveç darkës inauguruese, sonte në Prishtinë është realizuar përgatitja e një darke “me 6 duar” nga kryekuzhinieri Cristian Broglia, Bekim Jashari dhe Bleri Dervishi, ku disa restorante e bare do dedikojnë, përgjatë gjithë javës nga data 18 deri më 24 nëntor.

Ambasadori i Italisë në Kosovë, Piero Cristoforo Sardi me këtë rast mbajti një fjalë rasti, ku tha se kjo javë është rezultat i përpjekjeve të përbashkëta nga Ambasada italiane, Agjencia Tregtare Italiane në Tiranë si dhe Instituti Kulturor Italian në Tiranë.

“Kjo javë obligon pjesëmarrjen e shumë partnerëve nga Kosova, veçanërisht partnerëve të sektorit tregtar, ku shumë prej tyre edhe janë këtu, të cilët i falënderoj që janë këtu dhe për mbështetjen, dhe juve të gjithëve për kontributin në organizmin e eventeve kryesore nëpër Kosovë”, tha Sardi.

Ndërsa Elsa Shefca Elsa, drejtoreshë e Italian Trade Agency (ICE), tha se po formalizojnë prezencën e tyre në Kosovë dhe do të provojnë të jenë prezent më shumë.

“Po e formalizojmë prezencën tonë në Kosovë dhe do të provojmë të jemi prezent më shumë e më shumë, të kemi aktivitete jo vetëm në sektorin e ushqimit, po edhe në sektorët tjerë. Po ashtu ne hasëm në një mikpritje mjaftë të ngrohtë prej partnerëve këtu”, deklaroi Shefca.

Ndërsa, kuzhinieri Cristian Broglia nga Italia, ka përgatitur pjatën “Rizoto altramonto”.

“Edukimi ushqimor: Kultura e shijes” është tema e Javës së katërt të kuzhinës italiane në botë, e cila mbahet nga 18 deri 24 nëntor 2019, gjatë së cilës janë parashikuar mbi 1000 evente në 100 vende, ku janë programuar aktivitete promovuese e tregtare, takime me kryekuzhinier, show cooking, kurse kuzhinë e masterclass, konferenca, seminare dhe bashkëbisedime mbi traditën italiane të kulinarisë, degustime dhe darka tematike.

Kujtojmë, Java e Kuzhinës Italiane në Botë, sinteza e një rrugëtimi që zë fill nga “Expo 2015” në Milano, është një takim i përvitshëm dedikuar të ushqyerit të qëndrueshëm dhe traditës enogastronomike, si shenjë dalluese e identitetit dhe kulturës italiane.

I pranishëm në këtë darkë ishte edhe kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj dhe përfaqësues të bizneseve në Kosovë.