Vehbi Muratit hapi sezonin e ri në Galerinë e Ministrisë së Kulturës

Prishtinë, 20 shtator – Vepra e parë të cilën e ka përballë vizitori, në një farë forme është zbërthimi i krejt konceptit të ekspozitës. Piktura vaj në pëlhurë me dimensionet 200 me 160 thur disa elemente.

Nëpërmjet saj, piktori Vehbi Murati bën “ftesën” e parë për “Një ditë e zakonshme shtatori”, siç është titulli i ekspozitës së tij personale e hapur të enjten mbrëma në Galerinë e Ministrisë së Kulturës. Ani pse identifikimi i krejt elementeve është një sfidë më vete për artdashësit, artisti me mjeshtërinë e tij i bën bashkë si tërësi të konceptit të tij. Një pjatë, copë qeramike, një jakë e këmishës, një filxhan, janë disa nga elementet e braktisura në grumbullin e mbeturinave.

“Është një qytetërim”, ka thënë artisti për këtë pikturë e cila ashtu si krejt të tjerat nuk ka titull. Por përtej qytetërimit ai ka thënë se shfaq edhe jetën.

“Në një mënyrë gjërat që kanë qenë të vlefshme për shoqërinë tonë ne i kemi rrënuar, gjërat e vjetra, gjërat që kanë pasur njëfarë vlere edhe historike e kulturore”, ka thënë ai.

Përballë kësaj pikture qëndron një tjetër. Sipas artistit ajo zbulon anën tjetër të medaljes. Në frymë realiste, prapa të çarave të dërrasave, shihet dy sy të kaltër kureshtarë.

“Para syve të atij personi ka ndodhur diçka, ndoshta po ndodh, ndoshta është pikërisht kjo ekspozitë ku ne jemi sonte, një ngjarje ku jo vetëm ai por të gjithë ne jemi dëshmitarë për diçka”, ka thënë artisti.

Piktura është në mesin e nëntë të tjerave që janë ekspozuar në hapësirën e Galerisë, e që do të qëndrojnë aty deri më 3 tetor.

Zbërthimin e konceptit, kuratori i saj Mehmet Behluli e ka nisur nga vetë “pagëzimi” i ekspozitës. “Një ditë e zakonshme shtatori”, sipas tij sjell situata të “zakonshme” të cilat mund të jenë të një dite të zakonshme shtatori, siç sugjeron edhe titulli.