Vajza e dëshmorit që mban emrin Republikë

Si popull, kosovarët në vitet e 90’ të gjithë kishin një dëshirë, Kosovën Republikë. Kjo dëshirë shumë prej tyre ju kushtoi me jetë, por kjo nuk kishte rëndësi përpara realizimit të qëllimit dhe dashurisë së madhe për atdheun

Në vitin 1990, Kosova u shpall republikë dhe në vitin 1991 shtet i pavarur, mirëpo nuk arriti ta jetësonte pavarësinë e vet në rrethanat e pushtimit ushtarak serb që zgjati plot një dekadë (1989–1999). Në këto rrethana të okupimit serb, qytetarët ishin të mobilizuar dhe më të gatshëm se kurrë që të luftojnë për të drejtat e tyre në secilën mënyrë.

Po atë vit kur Kosova u shpall republikë, lindi edhe një vajzë në familjen Tahiri, këtë gëzim familjar, babai i saj Abdullah Tahiri, vendosi ta pagëzoj me emrin Republikë.

Ndonëse në rrethana të rënda dhe duke rrezikuar jetën ai nuk hoqi dorë nga vendimi i tij dhe përkundër mundësisë së madhe që të ndëshkohej me jetë nga regjimi serb gjë që nuk vonoi dhe ndodhi.

Siç tregon edhe Republika, tashmë 28 vjeçare, në atë kohë nëse vetëm inicialet KR (Kosova Republikë) i përdorte dikush, mund të dënohej deri më 20 vite burg, por babi i saj rrezikoi dhe i vendosi një emër të tillë vajzës.

“Emri Republikë më bënë shumë krenare, më zgjon emocione për faktin që babi im më la këtë emër në një kohë kur populli shqiptar i Kosovës e shpalli Kosovën Republikë të pavarur nga Serbia. Këtë akt e kundërshtoi fuqishëm Serbia dhe mbar Jugosllavia që ndërmorën një fushatë të egër të burgosjes dhe dhunës ndaj shqiptarëve”, thotë Republika për KultPlus.

“Përkundër kundërshtimit të zyrtarëve shtetëror që të mos më regjistrojnë me këtë emër, babai im mori guximin dhe i vuri ata para aktit të kryer që të më regjistrojnë si Republikë. Baba im Abdullahu, ishte i bindur që Kosova do të bëhet Republikë sepse ai me shokët kishin punuar gjatë dhe ishin përgatitur edhe ushtarakisht që Kosovën ta çlirojnë nga Jugosllavia dhe Serbia si dhe ta bëjnë shtet të pavarur ashtu siç edhe u bë shumë shpejt”, thotë tutje ajo.

Në vitet në vazhdim shumë luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u arrestuan dhe po mbaheshin në burgun e Dubravës, në mesin e tyre edhe Abdullah Tahiri. Aty, paramilitarët serb provuan të gjitha format e torturave çnjerëzore. Të burgosurit, ekzekutoheshin, torturoheshin në forma të ndryshme të lidhur me pranga dhe kjo masakër konsiderohet nga më të mëdhatë në Kosovë nga regjimi serb.

Më datë 19 maj u bënë plot 20 vite nga masakra në Burgun e Dubravës, aty ku janë vrarë 160 të burgosur shqiptarë dhe janë plagosur më shumë se 300 të tjerë.

Në këtë masakër e cila zgjati deri më 24 maj, në mesin e të vrarëve ishte edhe Abdullah Tahiri, babai i vajzës që sot bart emrin Republikë.

Ai vdiq, por dëshira e tij jetësore të cilën e ‘skaliti’ edhe në vajzën e tij, u realizua disa vite më vonë dhe Republika sot ndihet krenare që bart këtë emër dhe që ëndrra e babait të saj është realizuar.

Republika, vajza e cila sot jeton në Malishevë të Gjilanit dhe studion psikologji, vazhdon të ketë emocione kur flet për emrin e saj të cilin thotë që e bart me shumë përgjegjësi e respekt.

Një respekt të veçantë ajo ka pasur edhe në shkollë.

“Kur e kam filluar shkollën shokët dhe shoqet më kanë pranuar shumë mirë me këtë emër dhe nuk kam pasur asnjë shqetësim. Përkundrazi jam ndie mirë dhe krenare që bart këtë emër domethënës që është synim i popullit për liri dhe pavarësi. Të gjitha zhvillimet në atë kohë kanë qenë në favor të emrit tim Republikë. Dalëngadalë erdhi dita kur edhe me luftë të armatosur Kosova u çlirua nga Serbia dhe u bë definitivisht Republikë e pavarur dhe sovrane me 27 shkurt 2008. Kështu u vërtetua praktikisht vizioni i babait tim Abdullahut që më la këtë emër për çka jam shumë e lumtur dhe e barti me krenari të veçantë”, thotë Republika për KultPlus.

Në vendin tonë ndodhë shpesh që emrat të shkurtohen apo të vendosin pseudonime, por tek Republika, përkundër emrit të gjatë, kjo nuk ka ndodhur. Të gjithë e thërrasin me emrin e plotë.

Një tjetër emocion për Republikën ishte edhe data 17 shkurt 2008 kur edhe u shpall Kosova e pavarur, me këtë rast u plotësua edhe ëndrra e të gjithë atyre që sakrifikuan për këtë ditë.

“Dita e shpalljes së pavarësisë është festë e të gjithë shqiptarëve por për mua festë e veçantë. Atë ditë e kam edhe ditëlindjen e gjyshes sime që përputhet me shpalljen e pavarësisë. Kjo ditë është realizim i ëndrrave tona për shtet të pavarur dhe sovran të cilin e arritëm me shumë përpjekje sakrifica dhe me gjakun e dëshmorëve”, u shpreh krejt për fund Republika.