Trieshi i Tuzit bëhet me bustin e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut

Pranë shkollës fillore “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, në Triesh të Tuzit, dje u bë përurimi i bustit të Heroit mbarëkombëtar, Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.

Pjesëmarrës në këtë eveniment, pos zyrtarëve vendës ishin edhe mysafirë nga Kosova , Shqipëria si dhe nga diaspora. Ndër të tjerë ishin të pranishëm këshilltari i presidentit të Shqipërisë, Flamur Gashi, ambasadorët e Shqipërisë dhe të Kosovës, në Mal të Zi, Ridi Kurtezi dhe Ylber Hysa, si dhe akademiku nga Kosova Frashër Demaj.

Fjalë rastit mbajtën drejtori i Shkollës fillore “Gjergj Kastriotin Skënderbeu”, në Triesh, Nikollë Dukaj, kryetari i Kuvendit të komunës së Tuzit, Fadil Kajoshaj, drejtori i Arsimit të MZ, Marash Dukaj, ish mësimdhënësi i kësaj shkolle Tomë Dedivanaj, përfaqësuesi i Ministrisë së Kulturës së MZ, përfaqësuesi i Fondit Humanitar Trieshi nga Diaspora, Gjon Gjokaj, akademik Frashër Demaj si dhe kryetari i Komunës së Tuzit Nik Gjeloshaj.

Të pranishmit i përshëndeti këshilltari i presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, z. Flamur Gashi, i cili në emër të institucionit të presidentit Meta, i dha titullin “Kalorës i Urdhërit të Skenderbeut” ( pas vdekjes), ish mësimdhënësit Gjon Gjekës Lucaj, me motivacion: “Për patriotizmin e treguar gjatë kryengritjeve për pavarësinë e Shqipërisë së Veriut; mësues i nderuar dhe i përkushtuar i gjuhës shqipe, historisë dhe ligjërues i devotshëm i saj, duke u bërë burim frymëzimi për brezat pasardhës”, titull të cilin e pranoi nipi i Gjon Gjekës, Pjetër Lucaj.

Ndërkaq, të pranishmit i argëtuan këngëtarët Nikollë Nikpelaj, Ilir Shaqiri, Fran Lucaj, Toni dhe Shtjefën Ujkaj, Marija Lajçaj, Arton Nikprelaj, si dhe SHKA “Besa”/Malesia.org /