“Trenat” premierë në TKK, paraqitet dëbimi i dhunshëm i shqiptarëve

“Trenat” është shfaqja e fundit që do të shfaqet në Teatrin Kombëtar të Kosovës për këtë vit.

Kjo shfaqje e cila vjen premierë fillimin e javës tjetër, për autor ka Haqif Mulliqin dhe regjia nga Zana Duraku, ndërsa asistent regjie Armend Ballazhi.

“Trenat”, nuk trajton mjetin me të cilin është shërbyer makineria serbe për depërtimin e dhunshëm të rreth një milion shqiptarëve nga trojet e tyre, por trajton një moment jetësor të qenies njerëzore, ku shkaku i dhunimit dhe përdhunimit, identiteti dhe integriteti personal i kësaj qenie njerëzore shkatërrohet deri në atë masë sa dhe del nga binarët jetësor.

Në këtë shfaqje do të luajnë aktorët: Shpëtim Selmani dhe Rabije Kryeziu.

Dramë, dramë e ironisë, e pritjes, e frikës… Dy personazhet e dramës, Veni dhe Vini, në pritje të ardhjes në jetë të foshnjës së tyre, tani ndodhen edhe në pritje të trenit për të ikur nga fatkeqësia e pritshme që mund t’iu vinte nga çmenduria e pushtuesit. Por, treni nuk vjen. Ata vazhdojnë të mbesin në pritje të atij treni, i cili do t’ua shpinte diku, kudo qoftë, larg qenies së tyre fizike, shpirtin, psikikën, emocionet, ndërgjegjen, gjakun e tyre. E në këtë pritje sa ironike e të pakuptimtë, po aq edhe të trishtë e fatale, shpërthejnë akuzat, kundërakuzat e vetakuzat, mospajtimet e konfliktet, dashuria e dhimbja e dy personazheve të kësaj drame, të Venit dhe Vinit, që herë ndërtojnë e herë çartin “gurët” e rrënojave të personalitetit vetanak dhe të njëri-tjetrit.

Instrumentist në këtë shfaqje do të jetë Xhemajl Gllavica dhe skenografia është realizuar nga Mentor Berisha.

Drama do të shfaqet si premierë përpara publikut me datën 16 dhjetor, në orën 20:00. Kjo shfaqje është premiera e nëntë, njëherit e fundit për këtë vit kalendarik në Teatrin Kombëtar të Kosovës.