Tre fotografët që i bashkoi pasioni për fotografimin e botës së egër

Arian Mavriqin, Jetmir Troshanin dhe Ruzhdi Ibrahimin i bashkon një pasion: ai për fotografimin e botës së egër. Ata janë pjesë e shoqatës “Wildlife – Albanian Photographers”.

Fotoja e një ariu diku në Kosovë, e postuar nga Arian Mavriqi, në mars të vitit 2018, në grupin e porsahapur në Facebook, me emrin “Wildlife – Albanian Photographers”, ishte postimi i parë që do t’u hapte rrugë mijëra postimeve të tjera, të cilat për objekt kishin botën e egër të kafshëve, në të shumtën e rasteve, në trojet shqiptare. Nga një grup që ishte fillimisht aktiv në rrjete sociale, duke parë interesimin e madh të fotografëve për këtë lloj arti, në nëntor të po atij viti vendosin që të themelohet edhe shoqata me të njëjtin emër. Misioni i saj do të ishte mbrojtja, dokumentimi dhe promovimi i faunës në trojet shqiptare.

Si nismëtarë të këtij grupi, e më vonë shoqatës ishin Arian Mavriqi nga Kamenica dhe Granit Hyseni nga Peja. E më vonë atyre iu bashkuan edhe Jetmir Troshani nga Shkodra me banim në SHBA dhe Besnik Jakupi, po ashtu nga Kamenica. Ndërkohë, numri i anëtarëve ka arritur në disa mijëra. Jo të gjithë ata janë fotografë, por thjesht, adhurues të fotografisë së botës së egër.

Deri më tani kemi disa ekspozita të hapura të grupit, përderisa shumë foto tanimë zbukurojnë edhe muret e disa ambasadave të Kosovës, në vende të ndryshme nëpër botë.

Për të parë nga afër punën e anëtarëve të këtij grupi, kemi zgjedhur 3 nga ta, duke krijuar kështu një trekëndësh Kosovë – Zvicër – SHBA, fotografitë e të cilëve do t`i prezantojmë në këtë numër të albinfo.ch.

E nëse me të vërtetë një fotografi flet më shumë se 1000 fjalë, këtu kemi rast ta vërtetojmë, duke ofruar disa foto nga fotografët e Grupit.

Arian Mavriqi

Është nga Kamenica. Pas një përvoje në gazetari lokale, pasi që kishte ëndërruar gjithmonë të merrej me fotografimin e kafshëve të egra, më 2012 i futet me pasion këtij lëmi, duke u bërë kështu fitues i shumë çmimeve vendore dhe ndërkombëtare për fotografi të botës së egër.

Jetmir Troshani

I lindur në qytetin e Artit në Shqipëri, në Shkodër. Ishte rritur me gjyshen, oborri i së cilës ishte i mbushur me shpezë të shumtë, prej nga filloi edhe dashuria e tij ndaj tyre, që më vonë ishte faktor në zhvillimin e hobit të tij, fotografisë së botës së egër. Jeton në SHBA.

Ruzhdi Ibrahimi

I lindur në Zarbincë, Malësia e Bujanocit, dashurinë për fotografinë e kishte kultivuar qysh në rini. Pas emigrimit  në Zvicër, puna e tij me fotografinë ka vazhduar, duke eksperimentuar në zhanre të ndryshme. Përderisa nga 2017 është më shumë i angazhuar në fotografinë e faunës.