Tradita e punimit të qilimave në tezgjah

Në Pazarin e Krujës vazhdon të ruhet tradita e të punuarit të qilimave, qelesheve, veshjeve popullore etj., në mënyrë artizanale, duke ruajtur traditën dhe trashëguar këtë proces tek brezat e rinj.

Dallëndyshe Tabaku bën prej 30 vitesh të njëjtën punë – të krijimit të qilimave tradicionalë në tezgjah, pasion ky i cili i kishte lindur që në rininë e hershme.

“Për të punuar një qilim duhet tezgjahu, i cili është dy llojesh: vertikal dhe horizontal. Më parë gjyshet tona kanë punuar me tezgjah horizontal. Ngjeshja e leshit për një qilim tani bëhet me sfurk, kurse më përpara është bërë me shpatë. Simbolet që gjenden në qilimat tradicional janë ato të shqiponjës, lulet e pranverës, anije ilire, pra simbole që tregojnë identitetin dhe trashëgiminë tonë kulturore”, tha Tabaku.

Tabaku shpjegon se, “procesi i punës për një qilim fillon me endjen me fill pambuku, më pas fillohet thurja me fill leshi që është i cilësisë së parë. Gjithashtu, për bërjen e një qilimi duhet dhe vizatimi teknik, i cili ka të bëjë me simbolet kombëtare dhe kulturore të vendit tonë. Për prodhimin e një qilimi prej 1 metër katror duhen gati shtatë ditë dhe një punë intensive prej tetë orësh”.

“Duke iu përshtatur edhe kërkesave të turistëve dhe modës tashmë bëjmë dhe qilima modernë me ngjyra të tjera dhe me simbole matematikore, pra figura ekzakte”, thotë ajo