TKK me programin ‘Skena e Vogël e Vogël’

Teatri Kombëtar i Kosovës në kuadër të politikave të tij kulturore për zhvillimin e skenës teatrore në Kosovë ka vendosur që të zhvillojë një program të veçantë nëpërmes të së cilit do të ofrojë mundësi për artistët e lirë të realizojnë idetë dhe konceptet e tyre artistike.

Me anë të programit “Skena e Vogël e Vogël” Teatri Kombëtar i Kosovës ka për qëllim që t’i mbështesë idetë kreative, inovative, origjinale të artistëve të ndryshëm të Kosovës, duke kontribuar kështu në prodhimtarinë teatrore në përgjithësi, por që mund të konsiderohen edhe si prurje të reja në skenën e këtij institucioni.

Në kuadër të këtij programi, Teatri Kombëtar i Kosovës fton të gjithë artistët e lirë, dramaturgë, regjisorë, aktorë, dhe artistët e tjerë të Teatrit, që të aplikojnë me idetë e tyre në Programin “Skena e Vogël e Vogël”. Në njoftimin e Teatrit Kombëtar të Kosovës, thuhet se të interesuarit duhet t’i plotësojnë disa kritere, të cilat janë bazë për tu bërë pjesë e projektit në fjalë, ndërsa do të përzgjodhën deri në tre koncepte për vitin 2015, për t’u realizuar si shfaqje në skenën e vogël të këtij institucioni. Shuma për një projekt do të jetë deri në 8000 euro.