Termokiss-i mban punëtori me qëllim të promovimit të çiftelisë

Hashani ka thënë se plot të rinj kanë shprehur interesim për të marrë pjesë në këtë punëtori.
Në vazhdën e aktiviteteve të ndryshme që po mbahen në Termokiss, do të mbahet edhe një punëtori rreth çiftelisë e udhëhequr nga Hava Bekteshi dhe përcjellur nga Fatmir Makolli.

Punëtoria do të mbahet sonte në hapësirat e Termokiss-it dhe pjesëmarrësit do të kenë mundësi të mësojnë për historikun e këtij instrumenti, po njëherësh edhe të luajnë në të.

Edonis Hashani nga Termokiss ka thënë për kp, se përmes kësaj punëtorie synojnë ta promovojnë këtë instrument te gjeneratat e reja.

“Qëllimi i kësaj punëtorie është promovimi i kulturës dhe instrumenteve të ndryshme, në këtë rast të qiftelisë dhe Hava Bekteshi është ndër performueset më të mira që po e promovon çiftelinë në festivale të ndryshme, dhe ka qenë dëshira e saj që të vijë edhe ta mbajë punëtorinë këtu”, ka thënë Hashani.

Punëtorisë do t’i bashkangjitet edhe performuesi Fatmir Makolli, i cili së bashku me Hana Bekteshin, do të performojnë muzikë me çifteli.

Hashani ka thënë se plot të rinj kanë shprehur interesim për të marrë pjesë në këtë punëtori.

“Hana dhe Fatmiri do t’i mësojnë njerëzve se si të luajnë në çiftelia, pastaj do të ketë performancë nga ata dy dhe në fund do të ketë edhe ‘jam sesion’, ku secili do të ketë mundësi të dalë e të bëjë muzikë”, ka thënë Hashani. Përndryshe, Hava Bekteshi është shqiptare nga Maqedonia, e rritur në Gjermani, e cila prezanton çiftelinë dhe këngët shqipe në festivale të ndryshme, kurse Fatmir Makolli është performues i njohur i çiftelisë dhe njëkohësisht instruktor i këtij instrumenti.