Të premten nis Festivali i Birrës dhe i Verës

Që nga dita e premte e 5 korrikut, për të shtatin vit me radhë, nis Festivali i Birrës dhe i Verës, festival ky që do të vazhdojë deri më datën 9 korrik. Festivali do të mbahet në platenë e Pallatit të Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë.

Mësohet se skena sikurse viteve të kaluara do të vazhdojë të jetë e hapur për artistët dhe për bendet e reja, derisa do të perfomojnë grupe dhe artistë të njohur jo vetëm nga Kosova, por edhe nga Shqipëria.

Për dallim nga edicionet e kaluara, risi në këtë edicion jubilar do të jetë programi artistik, pasi që 5 ditët/netët e Festës së Muzikës, të Verës dhe të Birrës do të përcillen me emra të mëdhenj të muzikës, si: Dagz/PM, Ndriqim Gazia & Band, Orient Darabuka, Kpucat e Zeza, Rema Canolli, Erin Go Dance, Kajdi Haruni, Bruno, Latino Band, Burim Radoni, Dj Gjent, Gamblemania, Vesa Smolica, Dj West dhe shumë e shumë të tjerë.

Befasi tjetër do të jetë pjesëmarrja e markave të reja të verërave, ku për herë të parë do të prezantohen në këtë Festival, i cili përveç promovimit të muzikës ka për qëllim edhe promovimin e produkteve vendore. Për më tepër, në çdo natë të Festivalit do të ketë lojëra të ndryshme garuese me birra, që do të përcillen me shpërblime të ndryshme për fituesit.