Sinan Kajtazi jep dorëheqje, zgjedhja e tij u cilësua “konflikt interesi”

Sinan Kajtazi është emëruar drejtor i Baletit Kombëtar të Kosovës muajin qershor të këtij viti, ai është paraparë që këtë pozitë ta ushtrojë për 3 vjet me radhë.

Sipas Agjencisë Kundër Korrupsionit, në lidhje me pozitën e drejtorit të BKK-së është kumtuar se sipas Ligjit Kundër Korrupsionit, Nenit 18, pozita e Kajtazit si drejtor i BKK-së do të përbënte “konflikt interesi”. Kjo kumtesë ia ka imponuar dorëheqjen Sinan Kajtazit nga pozita e drejtorit të BKK-së. Edhe pse sipas Kajtazit vullneti ka qenë që ai të punojë në të mirë të Institucionit të BKK-së

Ndonëse, Këshilli Drejtues i BKK-së, i cili ishte përgjegjës për zgjedhjen e drejtuesit të Institucionit, ka zgjedhur drejtor Kajtazin si njëri nga konkurruesit më të suksesshëm dhe më kompetentë për të qenë në krye të Baletit të Kosovës.

“Me keqardhje ju njoftoj që pas kërkesës sime për opinion nga Agjencia Kundër Korrupsionit, në lidhje me pozitën e drejtorit të BKK-së, nga kjo agjenci më është kumtuar se sipas Ligjit Kundër Korrupsionit, Nenit 18, pozita ime si drejtor i BKK-së do të përbënte ‘konflikt interesi’, meqë deri në janar të 2019-s kam qenë kryetar i KD-së të BKK-së dhe në periudhë prej 2 vjetësh pas largimit nga Këshilli Drejtues nuk kam të drejtë të marr këtë post. Prandaj ju njoftoj që sot kam dhënë dorëheqjen nga u.d. i drejtorit të BKK-së dhe rrjedhimisht më duhet të refuzoj emërimin si drejtor nga Këshilli Drejtues i BKK-së”, ka deklaruar Kajtazi.

Kajtazi është shprehur i gatshëm që të japë kontributin e tij dhe ka deklaruar se ai ka pasur përkrahjen e të gjithë balerinëve të BKK-së dhe të stafit tekniko-artistik në TKK.

“Vullneti dhe dëshira ime ka qenë të jap kontributin tim në të mirë të Institucionit të BKK-së, duke gëzuar mbështetjen e të gjithë balerinëve të BKK-së dhe të stafit tekniko-artistik në TKK, po ashtu edhe të komunitetit të artistëve, mirëpo duke respektuar ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës më duhet të refuzoj nderin që më është bërë me emërimin drejtor nga Këshilli Drejtues i BKK-së”, shkruan Kajtazi, i cili më tutje ka thënë se do të vazhdojë të mos kursejë më të mirën nga vetja si balerin në shërbim të BKK-së.

Ahmet Brahimaj, ish-drejtor i Baletit Kombëtar të Kosovës, tash kryetar Bordi, e ka parë këtë veprim si një dridhje të themelit, ku qëllimi i vetëm sipas tij është të shkatërrohet Trupa e Baletit nga jashtë.

“Sinani i njeh problemet, e njeh punën dhe me të drejtë e ka merituar këtë pozitë. Por këtë veprim të agjencisë në fjalë unë e shoh vetëm si ‘prishje të strofullit’, për të cilën kemi punuar shumë. Ne kemi punuar me shpirt, puna jonë është dëshmuar ndër kohëra dhe këtë, nëse askush tjetër, më së miri e ka vlerësuar publiku, por qëndron edhe ajo që më kanë thënë se ‘me shkuarjen tënde Ahmet do të prishet dhe ky strofull’. Unë nuk kam besuar që njerëzit nga jashtë i fusin duart dhe përzihen në një punë që aspak nuk u takon”, shprehet Brahimaj, i cili më tutje ka thënë se nuk duhet harruar se në çfarë kushtesh kanë punuar balerinët, me rroga të vogla, me nënçmime, por sipas tij kanë arritur të bëjnë emër.

I pyetur se sa po e dëmton ky rast baletin, Brahimaj ka thënë se baleti do të dëmtohet shumë dhe kjo është arritje e individëve që kanë punuar në këtë drejtim.

“Po e përmbledh këtë muhabet duke theksuar se te ne nuk i shikojnë korrupsionet ku ka miliona, por shikojnë aty ku nuk ka asgjë. Normal që konkurs do të hapet, konkurs ky që do ta dëmtojë baletin dhe është ky synimi i vetëm që kanë. Unë i kam bërë 47 vjet në balet dhe nuk do të lejoj që kjo padrejtësi të vazhdojë dhe të vijnë njerëz që do ta prishin edhe Trupën”, tha ai

Rikujtojmë se Këshilli Drejtues i BKK-së, i cili ishte përgjegjës për zgjedhjen e drejtuesit të Institucionit, ka zgjedhur drejtor Kajtazin si njëri nga konkurruesit më të suksesshëm dhe më kompetentë për të qenë në krye të Baletit të Kosovës.

Përveç Kajtazit, në këtë konkurs kishin konkurruar edhe Sead Vuniqi dhe Luljeta Ademi, ku të gjithë si balerinë janë pjesë e Baletit Kombëtar të Kosovës.

Rikujtojmë se MKRS-ja më datën 30 të muajit maj kishte hapur edhe zyrtarisht konkursin për pozitën e drejtorit, meqë ish-drejtori i këtij institucioni, Ahmet Brahimaj, ka dalë në pension.

Në bazë të kritereve të përshkruara në konkurs kuptohej se MKRS-ja po kërkon në krye të Baletit një person, i cili ka njohuri dhe përvojë substanciale në menaxhimin e institucioneve, shkathtësi në zbatimin e objektivave dhe domosdoshmërisht diplomë në drejtimin e baletit ose në fusha të tjera të kulturës.

Konkursi theksohej se është i hapur për të gjithë kandidatët e MKRS-së, si dhe për institucionet e kulturës. Kohëzgjatja e mandatit të drejtorit të Baletit është 3 vjet, ndërsa ky konkurs ishte hapur deri më datën 06.11.2019. Që nga 1 shkurti i vitit 2019, pas daljes në pension të drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës Ahmet Brahimajt, ushtrues detyre i drejtorit është zgjedhur të jetë Sinan Kajtazi, njëherësh edhe balerin e koreograf i kësaj Trupe. Ky edhe ishte propozuar nga Baleti i Kosovës për ta marrë detyrën e drejtorit.