“Shpirti magjik i violonçelit” dhe tingujt e pianos në lojë virtuoze

Prishtinë, 20 shtator – Violonçelisti Denis Shapovalov pas çdo vepre që ka interpretuar në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare ka hedhur partiturën e saj në dysheme. Diçka të tillë nuk ka bërë pianistja bullgare Daniela Dikova, e cila e shoqëroi të mërkurën në koncertin “Shpirti magjik i violonçelit”.

Koncerti është i dyti me radhë që po shënon edicionin e 20-të të festivalit ndërkombëtar të muzikës kamertale, “KamerFest”. Dikova, me kujdes ka radhitur partiturat e veprave pasi që i ka interpretuar ato, në skaj të anës së majtë të pianos. Qëndrimi i këtyre të dyve në skenë ndryshon shumë ani pse në muzikë tingujt e tyre gërshetoheshin shumë bukur. “Gjatë koncertit ky është një moment spektakli”, ka thënë Shapovalov për hedhjen e partiturave gjersa i ka mbledhur ato pas koncertit.

Por ky nuk është i vetmi spektakël që ai ofron gjatë lojës në violonçel. Kërcimet tri herë lart, pasi që ka përfunduar veprat dhe batutat gjatë prezantimit të veprave, kanë sjellë një tjetër atmosferë. Këto elemente të violonçelistit janë dalluar edhe në koncertin e së martës mbrëma me orkestrën e festivalit që bëri edhe hapjen e edicionit jubilar e që u quajt “Fishekzjarrët e KamerFestit”.

Këto dy koncerte nuk janë paraqitjet e vetme të Shapovalovit në Prishtinë.

Koncerti i tretë për këtë edicion do të mbahet më 4 tetor në të njëjtin lokacion, duke filluar nga ora 20:00.