“Shka Zoti ka bashkue, njeri s’mundet me e nda…”!?

Në kohën kur në Shqipëri po miratohej Kodi Civil, në vitet 1930, kleri katolik i drejtohej përmes një letre Ahmet Zogut, për të kundërshtuar miratimin e ligjit për divorcin.

Mes klerikëve që nënshkruan kërkesën që i drejtohej Ahmet Zogut, ishte edhe At’ Gjergj Fishta. Në letër jepen argumentet e tyre, që ishin ndryshe nga ato të myslimanëve për këtë çështje.

Në dokument ndër të tjera theksohet:

“Ne të nënshkruemit Argjipeshkvi, Ipeshkvi, meshtarë e populli katolik, po marrim guximin me ju dalë para me ket shkresë, për me ju lypun sa më përvujtnisht, nji nder qe e kena fort për zemër.

Në kodin e ri civil qe shpejt do të shpallet për rregullimin e shtetit shqiptar, kena pa se asht përba një ligj, në të cillën në do rasa, të caktueme epet dorë që të shkatërrohet kunora e martesës së seicillit nënshtetas shqiptar, o me fjalë të tjera epet leja me u ba divorzio.

Shkelqësi! Na jeni fort të sigurt se përpiluesat e kësaj ligje, sikurse në ligje të tjera edhe në ktë, kanë pasë si qëllim, të mirën e përparimin e popullit shqiptar e jo të keqen e kujt. Ndoshta për vllaznit tanë muhamedanë, ligja në fjalë e përmirëson gjendjen e familjes tuj i pakue shkaqet e të ndarit të kunorës. Por për ne katolikët, sikurse e dini shkelqësia e juej, puna nuk ecë kso doret. Për ne kunora e martesës porse sa asht një kontratë civile, asht edhe një sakramend… Për ne Krishti ka thanë: shka Zoti ka bashkue, njeri s’mundet me e nda…”!