Shaqir Hoti, burri që krijon prej avokados, arrave e bririt të lopës

Një djalë i vogël i rritur në Rugovë të Hasit, afër Drinit. Djali i Xheladinit do të rritej shumë afër ujit e natyrës, gjithmonë me dashuri për gjuetinë e peshkut.

I vogël, po i njëjti djalë njomak do të niste të mësonte lojën në instrumente, pikërisht prej Xheladinit – ky një instrumentist jo i shkolluar. Emri i djalit të vogël është Shaqir, Shaqir Hoti, sot një burrë 84 vjeçar i cili në studion e tij të punës në Prishtinë nuk mund të ulet.

“Rrijmë në këmbë, është sëmundje profesionale” thotë Shaqiri derisa unë bisedoj me të në një hapësirë të vogël për simpatike të punës.

Sot, pak kush nuk e njeh plakun e bardhë Shaqir Hoti.

“Unë jam i bindur se këto instrumente me të cilat sot punoj, si fëmijë janë ngulitë thellë në trurin tim, dhe çdo gjë që ngulitet në fëmijëri është vështirë të shlyhet. Unë gjithmonë instrumentet i kam pasur afër, si fëmijë kam luajtur në to por nuk kam ditur t’i punoj” tregon axha Shaqir, siç më pëlqen ta thërras.

Jo vetëm lojë në instrumente, por edhe studim dhe intervenim në tingullin e tyre 

Sot, ata njerëz të cilët e duan folklorin e instrumentet shqiptare, e njohin mirë Shaqir Hotin. Hoti, i cili ka përfunduar shkollën fillore në vendlindje, më pas shkoi në Prizren për të regjistruar shkollën e mesme të muzikës.

“Gjenerata ime komplet i kemi taku një terri të plotë informativ, dhe ishim fort të uritur për dije. Semimaturën, apo tetë vjeçaren e përfundova dhe mezi pritsha me shku dikah me u regjistru. As edhe një katërshe nuk e kam pasë, krejt pesëshe. Shumë arsimtarë më thojshin shko në normale, disa në gjimnaz, por atëkohë u hap Shkolla e muzikës. Vullneti për dije ishte i madh. Bashkë me një shokun tim çdo ditë kemi bo 50 kilometra, 25 ardhje e 25 vajtje, derisa nisi bora e madhe, prej Rugovës në Prizren kemi udhëtu, rruga atëherë ishte ma lakore sesa tash. Edhe atëherë instrumentet gjithmonë i kam pasë nëpër dorë, edhepse kemi ushtru tinëz sepse pa partitura nuk lejohej kurgjo” tregon Hoti.

Ai sot luan në instrumente, punon me to, i krijon ato, i studion ato, duket sikur edhe flet me këto instrumente. Qetësinë shpirtërore thotë se e gjen duke punuar me instrumente, knaqet i tëri sidomos kur dëgjon tingujt e parë të një instrumenti. Kurrfarë pushimi tjetër më të dëlirshëm nuk gjen Shaqiri, sesa në instrumente, sesa në ambientin e vogël poshtë shtëpisë së tij, aty prej nga ai punon me fyell, me kavall, me okarina, me pipëza, me gajde, me zumare, me instrumentet tjera.

Janë mbi 1500 instrumente në këtë hapësirë, prej të cilave Shaqir Hoti thotë se nuk është ndarë asnjëherë, në asnjë peripeci të jetës.