Rrugën drejt teatrit e nisa nga shtëpia në Prizren, thotë Leze Qena

Më shumë se gjashtë dekada më parë, një vajzë e re nga qyteti i Prizrenit do t’i bashkohej Teatrit Kombëtar të Kosovës, që asokohe njihej si Teatri Popullor Krahinor. Pamja e saj, karizmi, sensi për humor dhe talenti bënë që ajo qysh në moshën 18-vjeçare të ngjitej në skenë. Bëhet fjalë për aktoren e njohur Leze Qena.

Edhe pas 64 vjetësh karrierë si aktore, ajo ende reflekton energji e pozitivitet. Qysh në fillet e karrierës së saj u bë shembull i një vajze të rritur në një shoqëri patriarkale, e cila e vetme e në moshë të re, u shpërngul nga qyteti i saj i lindjes për të ndjekur rrugën e saj. Me shumë punë e përkushtim ajo ia doli që të realizojë rolin e ëndrrave, të ngjitet në skenë me aktorët më të njohur në vend dhe në ish-Jugosllavi. Sot ajo njihet si “gjyshja e Kosovës”- më shumë për shkak të rolit që për 10 vjet pati në serialin televiziv “Familja Moderne”. Ajo është 82-vjeçare. Me të njëjtin elan të punës vazhdon edhe sot të jetë prezente në serialin “Çka ka shpija”.

Qena solli rrëfimin e saj të hënën në Qendrën Informative dhe Kulturore të Bashkimit Evropian, në kuadër të projektit “KultWoman” të implementuar nga gazeta onilne për art dhe kulturë “KultPlus” dhe financuar nga “Culture for Change”, program i Bashkimit Evropian implementuar nga qendra “Multimedia” dhe Goethe-Institut. Projekti do të vazhdojë me prezantimin e rrëfimeve nga pesë gra të tjera të suksesshme kosovare.

Qena rrëfimin e nisi me tregimin se si kishte vendosur të vinte në Prishtinë për t’u bërë pjesë e teatrit