“ReMusica” gati për edicionin e katërmbëdhjetë

Më 16 të këtij muaji do të hapet edicioni i 14-të i Festivalit Ndërkombëtar të Prishtinës “ReMusica 2015”. Hapja e eventit do të nis në orën 20:00 në Katedralen “Nënë Tereza” në kryeqytet, me koncertin e Korit japonez “Kansai Koyaki” dhe Kuintetin e Filarmonisë së Sofies, nën dirigjimin e dirigjentit dhe kompozitorit Ko Matrushita.

Organizatorët e eventit në fjalë, për edicionin e sivjetmë kanë bërë të ditur se pjesmarrës në këtë ngjarje do të jenë: Kori “Kansau Koyuaki” nën udhehqjen e kompozitorit të famshëm japonez, emër botëror i muzikës korale – Ko Matsushita, Kori Amerikan nga SHBA, çelisti nga Italia Roberto Trainini në bashkëpunim me pianisten e njohur tiranase Merita Rexha – Tërshana, virtuozi violinistik shqiptar, Jonian Kadesha.

Në kuadër të edicionit të sivjemë do të jetë edhe Koncerti tradicional i muzikës akusmatike si dhe koncerti me emërtim sinjifikativ “Nata shqiptare”, me pjesmarrjen e një mori artistësh nga Tirana dhe nga Prishtinë, si violinisti Kristian Gusho, pianistja Rudina Ciko, saksofonisti Dardan Gjinolli me Kuartetin e tij të saksofonëve, Trio me Adorel Haxhiun, Artemida Qarri dhe fizarmonikisti i njohur Elton Balla etj.

Si gjithmonë në ReMusica, do të jetë edhe Tribuna muzikologjike, që sivjet i kushtohet debatit rreth temës “Krijimtaria e muzikës së re shqiptare në momentin e tanishëm”.

Pjesë e debatit do të jenë emra të njohur nga Tirana dhe Kosova; Zhani Ciko, Eriona Rushiti, Nestor Kraja, Eno Koço, Zeqirja Ballata.