Recetë

Poezi nga: Mascha Kaleko
Përktheu: Juljana Mehmeti

Dëboje frikën
dhe frikën e frikës,
për disa vjet gjërat do mjaftojnë.
Buka në sirtar
dhe veshja në dollap.
Mos thuaj e imja.
Gjërat i ke marrë veç borxh.
Jeto në kohë dhe kupto,
që pak të nevojitet.
Krijo familje
dhe mba gati valixhen.
Është e vërtetë ajo që thonë:
çfarë duhet të ndodhë, do të ndodhë.
Vuajtjen mos e kërko.
Dhe kur të arrijë,
vështroje atë në heshtje.
Është po aq e shkurtër sa lumturia.
Mos prit asgjë
dhe kujdesu për sekretin tënd,
edhe vëllai tradhton
kur bëhet fjalë për ty ose atë.
Si mike
mbaj veç tënden hije.
Pastro dhomën tënde mirë
dhe përshëndeti fqinjët.
Rregullo gardhin
dhe gjithashtu zilen në derë.
Mbaje plagën hapur brenda teje
nën çatinë e gjërave që kalojnë.
Grisi planet. Ji i mençur
dhe beso në mrekulli.
Ato janë regjistruar prej shumë kohësh
në planin madhështor.
Dëboje frikën
dhe frikën e frikës.