‘Psycho’ thyen rekord në shitje

Shkruan: Isa VATOVCI
Ende pa u bërë një vit që nga botimi i tij, romani psiko-triler “Psycho”, i autorit Ilir Muharremi, ka shënuar një rekord në shitje.

Që nga botimi i tij e deri më sot janë shitur mbi 4,000 kopje të këtij romani, çka e kanë shtyrë autorin e tij, Muharremi që të mendojë për ribotim.

Është vetë autori Muharrmi i cili ka konfirmuar për Kallxo.com, se tashmë janë ‘tretur’ mbi 4 mijë kopje të romanit të tij.

Arsyeja e shitjes së madhe është përmbajtja dhe titulli, i cili qysh në fillim të veprës e deri në fund ndërlidhet, me seksin e shthurur, vrasjet mizore, dashurinë e çmendur dhe dështimet, si disa nga elementet kryesore në këtë roman.

Ideja e romanit të tij “Psycho” që e zhvillon përmes personazhit të tij boksier i karrierës e nxjerr atë jashtë ‘ringut’ letrar të letërsisë shqipe duke iu kundërvënë absurdeve me absurd përmes sportivitetit deri te kanibalizmi.

Autori Muharremi ka konfirmuar për Kallxo.com se në majin dhjetor romani “Psycho”, do të ketë një prezantim në Vlorë dhe Gjilan.

“Së shpejti pritet të promovohet në Gjilan dhe Vlorë të Shqipërisë”, ka thënë Muharremi.