Pirateria s’e rrezikon filmin “Shok” për Oscar (VIDEO)

Filmi kosovar “Shok” i cili po synon çmimin prestigjioz Oscar, ditëve të fundit është shpërndarë në mënyrë ilegale dhe në youtube nga pirateria.

Mirëpo, sipas drejtorit të Qendrës Kinematografike të Kosovës, Arben Zharku, kjo gjë nuk e dëmton filmin e as nuk paraqet rrezik diskualifikimi nga gara më e madhe e filmit në botë.

Zharku shtoi më tej se më 16 janar është hakuar edhe fan-page i Qendrës Kinematografike të Kosovës, e që të njëjtin rast e ka lajmëruar në polici.

Mirëpo për të njëjtin rast Policia e Kosovës, përmes e-mailit dërguar Tribuna Channel ka thënë se nuk ka pasur ndonjë raportim. I vetmi rast që është raportuar në polici është ai mbrëmë, e që bëhet fjalë për “Cenim i të Drejtave të Autorit”.

Për më shumë policia ka thënë se rastet e tilla që kryhen përmes sistemeve kompjuterike hetohen nga njësitet përkatëse rajonale të hetimeve, ndërsa në rastet specifike, asistencë në zgjidhjen e këtyre rasteve u ofrohet nga zyrtarët policor nga Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në kuadër te Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar të Policisë së Kosovës./Tribuna Channel/