“Pink Movement”, lëvizja më e re feministe në Tiranë

Studentja e drejtësisë krijon lëvizjen feministe “Pink Movement”: U frymëzova në burgun e grave…

Pink Movement është një lëvizje feministe e startuar më 1 prilll të 2018 nga studentja e drejtësisë Leolida Xhufi, për t’u dhënë rëndësinë e duhur shumë temave sociale dhe çështjeve që iu  shërbejnë vajzave, grave dhe gjithë shoqërisë.

Krijimi i Pink Movement e ka zanafillën kur 20 vjeçarja u takua me vajza dhe gra që vuanin dënimin në institucionin e burgut në Tiranë, dhe ishte pikërisht diskriminimi gjinor që ndjeu atë ditë që i dha një këndvështrim ndryshe të pozitës së gruas në shoqërinë tonë.

Në burg Leolida së bashku me grupin e projektit ku bënte pjesë dhuruan 210 romane për të burgosurat si një ‘dritare lirie’, por s’do ta lërë me kaq, vendosi të krijojë shumë të tilla me Pink Movement. Në takimin e parë të Pink Movement u mblodhën 60 vajza, por çfarë do ndodhë në të ardhmen dhe planet që kanë si grup na i rrëfen studentja e drejtësisë në intervistën të dhënë .

Intervista e plotë me Leolida Xhufi:

Leolida së fundmi ke ndërmarrë një nismë, por përpara se të flasim për të duam të dimë më shumë rreth teje. Na trego për veten…

Leolida: Une jam Leolida Xhufi një vajzë 20 vjeçare e rritur në qytetin e Beratit. Jam fëmijë i vetëm dhe prindërit sidomos babai im më ka rritur me frymën se vajzat dhe djemtë janë njësoj dhe si të tillë duhet të trajtohen, kjo është arsyeja pse unë jam e bindur në të drejtat e grave dhe vajzave dhe kam dëshirë dhe vullnet për t’i mbrojtur ato. Unë vazhdoj studimet për drejtësi në universitetin e Tiranës dhe aktualisht jam viti i dytë bachelor. Në kohën time të lire më pëlqen të udhëtoj dhe të lexoj libra, po ashtu më pëlqen të krijoj mozaik si dhe të luaj në piano.

Pink Movement ka startuar më 1 prill, çfarë ka në fokus kjo nismë?

Leolida: Krijimi i Pink Movement e ka zanafillen nga ndjenja e thellë e diskriminimit gjinor që ndjeva kur isha në takim me vajzat edhe gratë që vuanin dënimin në institucionin e burgut këtu në Tiranë, takim ky le të themi që më ndryshoi në 360 gradë mënyrën sesi shikoja pozitën e gruas në shoqërinë tonë. Aty pashë dhe krijova një portret të disa syve që në jetë kishin kaluar shumë vuajtje dhe paragjykime dhe ‘fatkeqësia’ qe ishin vajza i përndiqte dhe aty brenda duke i bërë që familjaret e tyre t’i mënjanonin. Se normalisht një vajzë në burg?!!! Është një turp (në ndryshim nga djali). Ndaj dhe brenda meje u krijua dëshira për të bërë diçka që ky portret i hidhur të ëmbëlsohej sado pak. Krijova kështu Pink Movement, një lëvizje feministe. Një projekt  nga vajzat për vajzat. Një projekt nëpërmjet të cilit në do të sensibilizojmë do të ndërgjegjësojmë dhe do të frymëzojmë të gjitha vajzat dhe gratë të cilat na bashkohen. Projekti startoi në 1 Prill dhe u prit shumë mirë.

Tashmë keni realizuar takimin e parë, sa vajza morën pjesë dhe për çfarë diskutuat?

Leolida: 1 Prilli solli startimin e projektit nëpërmjet një seti fotografik ku morën pjesë 60 vajza dhe gra të moshave të ndryshme të veshura të gjitha me Pink. Ne pozuam para aparatit të fotografit zyrtar të projektit, Klevin Halili si dhe diskutuam disa nga projektet që do të ketë nëcvazhdim Pink Movement. Joana dhe Elda si dhe shumë vajza të tjera më mbeshtetën dhe punuan fort me mua që ky aktivitet të dilte sa më i këndshëm dhe Pink.

Ti je iniciatorja, na trego si të lindi ideja për lëvizjen?

Leolida: Si u shpreha dhe me lart im atë e ka mbjelle brenda meje pemën e një jete të drejtë dhe të barabartë duke më trajtuar si të isha ‘djali familjes’ gjë që ka sjellë që unë sot të luftoj me gjithë dëshirën time për të gjitha ato vajza që janë rritur nën hijen e një mashkulli dhe që shpesh janë ndjerë fajtore që nuk kanë lindur djalë. ‘ Vulën ‘ përfundimtare për të krijuar një nismë të tillë e pata brenda mureve te institucionit të burgut të grave ku pashë aq shumë vuajtje dhe diskriminim. Ne atë institucion vajta për të përfunduar një projekt që kisha nisur po vullnetarisht, me rastin e 8 Marsit. Ne mblodhëm 210 romane dhe i dhuruam ato për ato vajza dhe gra si një ‘dritare lirie’.  E meqenëse krijuam një dritare lirie për to do të përpiqemi të krijojmë shumë të tilla me Pink Movement.

Prej sa vetash përbëhet grupi dhe si do funksionojë në të ardhmen?

Leolida: Pink Movement ka gjetur një mbështetje të madhe te shoqet që unë kam. Joana, Elda, Tea dhe shumë të tjera janë bërë tashmë pjesë e grupit dhe punojnë fort për ta çuar këtë ide përpara. Në të ardhmen ne do të krijojmë ‘fjalime motivuese’ nga vajza dhe gra të cilat mund të frymëzojnë të tjerat të ndihen mirë me veten si dhe të ndihen të forta dhe të barabarta në shoqëri. Pink Movement është një projekt me disa mini-projekte të cilat do të shpalosen në vazhdim për të gjitha ato vajza dhe gra të cilat duan të marin pjesë.

A mirëpret nisma vajza dhe gra të dhunuara nga burrat, dhe si do t’i ndihmojë ato? Po meshkujt janë të përjashtuar apo mund të marrin pjesë në ndonjë nga takimet tuaja?

Leolida: Ne mirëpresim çdo vajzë edhe grua te dhunuara ose jo. Të gjitha ne, në një mënyrë ose një tjetër e kemi ndjerë ‘dhunën’ e shoqërisë dhe diskriminimin, ndaj çdo vajzë është e mirëpritur te ne. Pink Movement do perpiqet të krijojë themele të reja në mentalitetin e vajzave. Ne do të përpiqemi të frymezojmë dhe të ndërgjegjëojmë vajzat dhe gratë për të drejtat e tyre dhe për të gjetur forcën të ngrenë zërin dhe të thonë STOP. Sa për djemtë do të ketë aktivitete posaçërisht për ta për të arritur një sensibilizim te të dyja gjinitë.

Nga sa kuptova unë kjo nismë është vullnetare nga vajza që duan një ndryshim në këtë shoqëri maskiliste. Si e shikon ti personalisht femrën në shoqërinë shqiptare, angazhimin e saj në organizma të ndryshëm, në politikë, në familje, në shkollë, në punë krahasuar me gjininë tjetër?

Leolida: E bukura e këtij projekti është se organizohet i gjithi në mënyrë vullnetare. Ne deri tani nuk financohemi nga askush. Salla është ofruar falas, fotografi po ashtu, vajzat e stafit punojnë falas ndaj dhe nga kjo krijoi shpresë të madhe. E kuptoj që kur duam ne mund të arrijmë të bëjmë shumë gjëra edhe pa para, mjafton që thelbi i asaj çka po bëjmë të jetë një domosdoshmëri, dhe P.M në thelb ka një çeshtje të tillë.

Nga ana tjetër mund të them se vendi ynë nuk ka gra por ka heroina. Nënat, gjyshet tona kanë punuar gjithë jetën aq shumë dhe në shtëpi kanë qenë të dytat gjithmonë pas burrit. Pozita e gruas në shoqërinë tonë le hapësira të mëdha për t’u mbushur me dëshpërim paçka se kohët e fundit është vënë re një lloj përparimi në pozitën e saj mund të them se sipas gjykimit tim pjesa më e madhe vazhdojnë të diskriminohen po njësoj.

Përse duhet të bëhen pjesë e nismës vajzat dhe gratë, cili është mesazhi ke për t’ju dhënë?

Leolida: Të gjitha ne e kemi ndierë diskriminimin gjinor në lëkurë. Kjo është arsyeja pse unë dua që pjesë e këtij projekti të bëhen sa më shumë vajza dhe gra. Të gjitha së bashku ne do të frymëzojmë njëra-tjetrën dhe do të shohim se ndryshimi i një shoqërie do të fillojë me ndryshimin që do të pësojë secila nga ne brenda vetes. Prandaj sa më shumë vajza dhe gra presim në aktivitetin tjetër sepse në këtë mënyrë do të kemi të gjitha sukses. Mesazhi që dua të percjell është vetëm një: duhet të jemi të zonjat të mbrojmë të drejtat tona sepse para se të jemi vajza, jemi qenie njerëzore’ ndaj bashkohuni me lëvizjen tuaj rozë.