Përjetimet e shqiptarëve të dëbuar në sytë e Strajës

I lindur më 1933-n në Prishtinë, Nijazi Straja, si shumë shqiptarë të tjerë, ishte dëbuar për në Turqi saktësisht në vitin 1958. Për herë të parë e kishte vizituar Kosovën pas 32 vjetësh, në vitin 2000. Straja tash e 61 vjet i dëbuar në Turqi kujton përjetimet e tij në romanin “Rrathët e ferrit ”, që u përurua të hënën në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.

Në romanin e përuruar ai flet për torturat, trysnitë, mërgimin, për dashurinë që ka për atdheun e për kujtimet që bart për të.

Straja këtë herë në Kosovë vjen edhe për të promovuar librin e tij “Rrathët e ferrit” dhe për një arsye tjetër, që e konsideron si të veçantë, që mu në këtë ditë në mënyrë solemne iu shënua rinjohja e shtetësisë së Kosovës.

Ky atdhetar i përkushtuar, edhe pse i shpërngulur në Turqi, asnjëherë nuk i ka shkëputur lidhjet me Kosovën. Ai u mirëprit me duartrokitje nga familjarët, ish të burgosurit dhe të gjithë të pranishmit që ishin në sallë.

“O Zoti i madh, pse s’ma more shpirtin në vitin 1955 kur armiku në aksionin e armëve më bani gjithë ato tortura!? Po të ma kishe marrë shpirtin familja ime nuk do të ishte shpërngul në Turqi. Gjylnazja kishte me u shkollue. Ajo kishte shumë dëshirë me mbarue shkollën e mësuesisë”, ishte fragmenti i parë me të cilin u hap edhe përurimi i librit që ka shkruar autori Straja.

I pari i priu fjalës Avni Dehari, redaktor i librit, që vlerëson se romani historiko-politik është i përbërë nga elemente të theksuara biografike. “Tema që trajtohet në roman ka një shtrirje të gjatë e të thellë, në të pasqyrohet jeta e vështirë e popullit tonë. Autori ia ka dalë ta përshkruajë me ngjyra të gjalla të theksuara të popullit tonë nën robërinë serbe”, vlerëson Dehari, i cili më tutje thekson se personazhet dhe ngjarjet sikurse paraqiten në këtë roman janë reale.

“Kryepersonazhi i këtij romani është vetë autori dhe jeta e tij me emrin e shkurtuar Jazi. Familja që detyrohen të marrin rrugën për në Turqi janë qytetarë të Prishtinës, që njihen si të dëbuar në Turqi. Straja në këtë roman paraqet tragjedinë që popullin ynë e ka pësuar gjatë shpërnguljes së madhe në Turqi. Romani meriton të lexohet me vëmendje, që autorit t’i vlerësohet mundi të cilin e ka dhënë në këtë fushë”, u shpreh Dehari.

Hydajet Hyseni, kryetar i Shoqatës së ish të Burgosurve Politikë, falënderoi autorin, duke e vlerësuar si njeriun që na ka bashkuar e më kontribuuesin e plejadës së lëvizjes kombëtare, çlirimtare e emancipuese.

“Botimi i këtij libri na ka bërë nder të posaçëm, sepse jo vetëm që na pasurojnë me një libër me trung dhe me përmbajtje shumë të veçantë, por na japin rastin të shpalosim kontributin e rëndësishëm dhe të pazëvendësueshëm në fushën e atdhetarisë. Ky libër u botua me vonesë, siç u botua edhe gjithçka tjetër nga porositë e Demaçit”, tha mes të tjerash Hyseni.

Sami Kurteshi, redaktori i dytë i librit, potencoi se autori përmes këtij libri i dhuron lexuesit dëshmitë autentike për tragjeditë që u kanë ndodhur shqiptarëve.

“Libri që në idenë origjinale të autorit është prozë epike për mua, të një njeriu që nuk deshi në jetën e vet asgjë më shumë e as më pak se më të mirën për popullin e vet, lirinë. Tema e trajtuar nga autori i gjallë dhe që ende gjakon ikjen nga ferri aktual, rikthimin në parajsën e mallkuar, ka trajtuar një të vërtetë të hidhur e tragjike, shpërnguljen e dhunshme të shqiptarëve në Turqi”, tha Kurteshi, që më tutje u shpreh se ky roman i dhuron lexuesit dëshminë më autentike socio-historike për veprimet politike tërësisht antishqiptare të regjimeve serbe. Sipas Kurteshit, lexuesit i vjen në duar si artistikisht i përpunuar me një gjuhë origjinale popullore për tragjedinë, largimin e shqiptarëve nga trojet e veta për shkak të dhunës gjenocidale serbe.

Nijazi Straja në moshën 86-vjeçare me lot në sy iu drejtua masës. Ai tha se akoma edhe sot nuk lë t’i ikë asnjë ngjarje që ndodh në Kosovë e për të më e vështira është kur sheh shqiptarët se si ikin nga trojet e veta.

Straja kujtoi një nga një kujtimet që nga mosha e fëmijërisë e deri te tmerri e tortura që ka përjetuar. Ai thekson se asnjë shqiptar nuk ka ikur prej qejfit në Turqi. “Unë kam takuar e njohur shumë shqiptarë që jetojnë në Turqi dhe kam ardhur në përfundim se asnjë shqiptar nuk ka ikur prej qejfit. Secili ka ikur nga presioni, i cili ka qenë i çdo lloji”, tha ai.

Straja, i lindur në vitin 1933 në Prishtinë, ka qenë edhe mësues në shkollën “Emin Duraku”, mirëpo në 57-n e përjashtuan prej arsimit me akuzën se nuk ishte i aftë t’i mësonte dhe t’i edukonte nxënësit shqiptarë në frymën e vëllazërim-bashkimit jugosllav. Straja u dënua me nëntë vjet burg të rëndë dhe e dërguan në Burgun e Mitrovicës së Sremit. Në maj të vitit 2019 iu rinjoh shtetësia e Kosovës.