Përfundojnë punimet restauruese të mbulesës së Mozaikut të Tiranës

Mozaiku i Tiranës, monument kulture i kategorisë I, është siti arkeologjik më i vizituar i kryeqytetit.

Së fundmi në këtë mozaik janë kryer disa ndërhyrje restauruese të mozaikut, të mbulesës, të ullukëve të shkarkimit, si dhe rrethimi anësor me tenda të tejdukshme për mbrojtje gjatë reshjeve të dimrit.

Ministrja e Kulturës, Elva Maragariti shprehet për Mozaikun e Tiranës se, ” i fshehur mes pallatesh të larta, në zonën që njihet si blloku “Partizani”, Mozaiku i Tiranës është një nga ato monumente, që e pasuron edhe më shumë historinë e këtij qyteti, duke e zhvendosur më shumë në kohë datimin e saj, që në shek. I të erës sonë”.

Gjithashtu ky mozaik përveçse është një destinacion interesant kulturor për turistët vendas dhe të huaj ai shërben gjithashtu dhe si një qendër për zhvillimin e aktiviteteve dhe orëve mësimore për nxënësit.

“Pavarësisht se ndodhet i tërhequr nga qendra e Tiranës, është një prej destinacioneve të itinerarit kulturor turistik, por edhe qendër për zhvillimin e aktiviteteve dhe orëve mësimore për nxënësit e shkollave”, shprehet ministrja.

Maragriti tha se, “së fundmi janë kryer disa ndërhyrje restauruese të mozaikut, të mbulesës, të ullukëve të shkarkimit, si dhe rrethimi anësor me tenda të tejdukshme për mbrojtje gjatë reshjeve të dimrit. Por ndjejmë se ky monument ka nevojë për një projekt që të mund t’i evidentojë edhe më tepër vlerat, si një dëshmitar i lashtësisë së qytetit”. /atsh /