Pavijoni i Kosovës “rrëmben” vizitorët e Bienales

Rëra e kaltër është shpërndarë jashtë pavijoneve. Ajo ka zënë vend nëpër rrugët që të çojnë nëpër pavijone të tjera. Rëra, siç është thënë edhe nga vizitorët e Pavijonit të Kosovës, e ka bërë të veçantë ekspozitën. Vizitorët e Pavijonit të Kosovës nga aty me vete kanë marrë rërën, që është njëra nga elementet identifikuese të ekspozitës. Rruga që të çon tek “Speculating on the Blue” është po e ashtu me rërë, janë gjurmët e vizitorëve që kanë lënë pas në Pavijonin e Kosovës. Janë të shumtë ata që ndalen në këtë pavijon të kalojnë një pjesë të kohës së tyre. Presin derisa të ndërrohen ngjyrat dhe pastaj provojnë të krijojnë lidhje në mes të rërës, shufrave metalike dhe ngjyrave që në vazhdimësi ndërrohen.

Gazetarja nga Belgjika, Aurore Kint, provoi që me këpuca të shkelte mbi rërë. Pasi iu duk se nuk po e ndjente, ndërroi mendje. Me këpuca në duar ajo ka shëtitur nëpër “Speculating on the Blue”. “Kur e pashë rërën desha ta ndjeja atë dhe mendoj se është vend i mirë që të relaksohesh dhe të kem ndjeshmëri në trup dhe jo vetëm në kokën apo sytë e mi”, thotë Kint, që vazhdon të jetë këmbëzbathur. “Është një ekspozitë që të bënë të mendosh, është shumë e veçantë, është shumë origjinale. E dua këtë ekspozitë”, ka shtuar Aurore Kint, për ekspozitën, që ka bërë që Kosova për herë të dytë të jetë pjesë e Bienales së Venecias.

Ekspozita “Speculating on the Blue” për Jill Brich është në mes të ashpërsisë dhe butësisë, qetësisë, shpresës e transparencës.

“Në këto shufrat metalike mund të ngriheni lart e mund të bini poshtë, ka të bëjë me shumë gjëra që në të njëjtën kohë mund t’i thotë kjo ekspozitë”, ka thënë Brich nga Kanada derisa ecte nëpër tërë pavijonin për ta parë ekspozitën nga këndvështrime të ndryshme. “Është një ekspozitë shumë e fuqishme, urime artistes”, ka thënë Jill Brich për “Zërin”.

Oleg Zakharov, nga Rusia, thotë se ka qëndruar gjatë në Pavijonin e Kosovës. Ai tregon se ka ecur nëpër Pavijonin e Kosovës duke pritur që të ndërroheshin ngjyrat. “Pashë shumë ngjyra, është qetësi dhe pashë të kuqen të përzier me të kaltër”, ka thënë Zakharov, duke shtuar se ekspozita duket si kopsht urban. “Mendoj se është një ekspozitë e bukur në të cilën bëhen bashkë shumë elemente në të njëjtën kohë”, është shprehur Zakharov, për të shtuar se ndërrimi i ngjyrave i ka pëlqyer shumë.

Në fillim duket sikur të shohësh kolona, rërë e ngjyra, thotë Sangun Jeon, por esenca është tek porosia që e përcjell ekspozita, shton më pas ai. “Dyshemeja e kaltër është interesante sepse siç shoh unë është e kuqe, nga drita sigurisht”,  ka thënë Jeon, që teksa fliste ngjyra u ndërrua dhe nga e kuqja u kthye në të kaltër. “Jam i interesuar për një interpretim të kësaj hapësire, të kësaj ekspozite sepse konsideroj se është bërë lidhja edhe me pavijonet e tjera që janë në Bienale”, është shprehur vizitori nga Korea për të shtuar se “Speculating on the Blue” është një ekspozitë shumë e mirë. “Është një ekspozitë interaktive. Shumë njerëz nga bota vijnë dhe i shikojnë kolonat prej hekuri, ngjyrat dhe rërën dhe mendoj se kjo është ajo çfarë ka dashur edhe artistja”, thënë Sangun Jeon për gazetën, duke shtuar se është kthyer pas një kohe për të parë nëse janë ndërruar përsëri ngjyrat.

Është një ekspozitë shumë e veçantë, thotë Joseph Rudy, nga Belgjika, i cili bashkë me bashkëshorten e tij po rrinin në mes të pavijonit. “Njerëzit shohin shumë gjëra në një moment. Ngjyra e kaltër nuk shihet kjo për shkak të ngjyrave që ndryshojnë kohë pas kohe”, është shprehur Rudy, derisa ecte nëpër rërë dhe fotografonte pavijonin nga kënde të ndryshme. “Është si natyra, është e fuqishme, duket sikur artistja dëshiron të mbajë një qëndrim, të na bëjë të mos fokusohemi vetëm tek ngjyrat, por në gjithë ekspozitën”, është shprehur Joseph Rudy.

Autorja e ekspozitës Flaka Haliti ka thënë se nëse ekspozita shikohet në total, atëherë ka të bëjë me mobilitetin, me territorin, me kufijtë, ndjenjën që diçka po të kufizon, një kufi i cili është aty, jo i drejtë, që limiton një lëvizje të lirë e të drejtën të mos kufizohesh.

“Në këtë rast barrierat, të cilat i kemi parë edhe më herët në ekspozitat e tjera, paraqiten si skelete, të zhveshura. Është vetëm armatura e cila e përkrah barrierën. Dhe zhveshja e tyre deri në skelet edhe rëra e cila është e kaltër në njëfarë mënyre bëhet sinonim i betonit, i cili është duke rënë”, ka thënë Haliti, derisa tregon se rëra është e kaltër sepse e kaltra është ngjyra e qiellit, ku nuk ka kufij. Ajo ka thënë për gazetën se ka shumë metafora të ndryshme që takohen dhe që krijojnë narracion. “Sado që mendon që tani e kuptove, pastaj një nivel tjetër, i një metafore tjetër, ndërthuret me atë dhe e kontradikton këtë që veç mendon që e ke kuptuar, domethënë krijon takime, të cilat e kontradiktojnë njëra-tjetrën, storien për çfarë është fjala”, është shprehur artistja Flaka Haliti.

Pjesë e promovimit të Pavijonit të Kosovës janë edhe çantat që janë përshtatur me ekspozitën, janë të kaltra, mbishkrimin e bardhë, ku është shkruar emri i Flaka Halitit dhe ai ekspozitës së saj. Për dizajnimin e çantave Flaka ia ka besuar disenjatores Venera Mustafa. “Me Flakën kemi bashkëpunuar edhe në projekte të tjera. Çanta ka lindur si ide e përbashkët dhe është pjesë e promovimit të Pavijonit të Kosovës. Kemi diskutuar për dizajnin, por kryesisht Flaka ma ka besuar mua që të merrem me dizajnin e çantave, kështu që ka ardhur deri tek dizajni të cilin po e promovojmë bashkë”, ka thënë Mustafa, e cila është e mendimit se çanta nuk është pjesa kryesore e promovimit të pavijonit, por është një pjesë shtesë që secili pavijon e bën në mënyrën e vet, secili pavijon e ka një çantë si pjesë e marketingut e po kështu e ka edhe Pavijoni i Kosovës.