Pavijoni i Kosovës, përfaqësohet suksesshëm në Bienalen e Venedikut (FOTO)

Kosova, për të dytën herë, po merr pjesë ne Bienalen e Artit Bashkëkohor në Venedik dhe të tretën në tërësi, ku nëpërmjet Pavijonit të saj ka paraqitur vlerat e artit të vendit tonë.

Në edicionin e sivjetmë, të 56-tin me radhë, Kosova është përfaqësuar nga artistja Flaka Haliti dhe kuratori, Nicolaus Schafhausen me ekspozitën “Spekulimi në të kaltër”.

Pavijoni i Kosovës, dje gjatë prezantimit ka mbledhur shumë vizitorë të cilët kanë shprehur interesimin për të parë nga afër ekspozitën e Halitit e cila reflekton mbi objekte, ngjarje e histori, duke e pasur në fokus Kosovën.

Në hapjen e Pavijonit të Kosovës, pjesëmarrëse ka qenë edhe presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Rexhep Hoti, përfaqësues tjerë të institucioneve si dhe presidenti i Bienales së Venedikut, Paolo Baratta.

Ajo theksoi se dy vite me parë, Kosova bëri debutimin e saj si shtet me shumë sukses me prezantimin e artistit Petrit Halilaj dhe shtoi se nuk ka aspak dyshim se një sukses i tillë do të vazhdojë edhe më tutje për Pavijonin Kosovës.

Presidentja Jahjaga e vlerësoi lartë përfaqësimin e kulturës së Kosovës në Bienalen e Venedikut.

“Prania e Republikës së Kosovës në Bienalen e Venedikut, në organizimin me të rëndësishëm të artit në botë, e barabartë me shtetet e tjera, është dëshmi për të arriturat tona në forcimin e subjektivitetit tonë ndërkombëtar”, tha Jahjaga.

Me rastin e hapjes së Pavijonit të Kosovës, zëvendësministri Hoti tha se është tejet e rëndësishme që Kosova të paraqes artin dhe kulturën e saj në ngjarje të tilla të rëndësishme kulturore siç është Bienalja e Artit në Venedik.

“Më lejoni që të shpreh falënderimet e mia të veçanta për artisten Flaka Haliti dhe për kuratorin Nicolaus Schafhausen, si dhe për të gjithë ekipin e Pavijonit të Kosovës për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm, përkushtimin dhe punën e madhe që e kanë bërë gjatë tërë këtyre muajve përgatitje deri në finalizimin e projektit”, deklaroi Hoti.

Hoti theksoi se ekspozita e Halitit “Spekulimi në të kaltër” e cila identifikohet me qiellin e kaltër, reflekton histori e ngjarje që lidhen me shtetin e Kosovës si dhe reflekton mbi kuptimin e kufijve, demokracisë dhe lirisë.

“Dua të theksoj se suksesi i një prezantimi të tillë i bënë nder të madh Kosovës si shtet i ri i cili prezantohet në këtë ngjarje të madhe kulturore në botë për të dytën herë me Paviojin e saj”, tha zëvendësministri Rexhep Hoti.

Në Bienalen e Venedikut, krahas Kosovës ka marrë pjesë edhe Shqipëria si dhe shumë shtete tjera të cilat kanë prezantuar artin e tyre.