Objekte të trashëgimisë familjare beratase i dhurohen Muzeut Etnografik

Ka tashmë një lidhje një lidhje mes komunitetit beratas e Muzeut Etnografik që sa vjen e po konsolidohet. Komuniteti është pjesë jo vetëm e aktiviteteve që zhvillon muzeu, por ndodh shpesh që objekte të vyera që i kanë pasur pjesë të trashëgimisë së tyre familjare dëshirojnë ti dhurojnë që të jenë pjesë e koleksionit publik të muzeut.

Ky është dhe rasti i Tefta Prifti Qose e cila solli një qilim, të punuar nga nëna e saj në vitet ’60 – ’70, si pjesë e pajës së saj. Tefta na tregon se e ëma ka ushtruar herët mjeshterinë e endjes në tezgjah për nevoja familjare por edhe për treg duke rritur e shkolluar me to 11 fëmijë.

Ajo tregon se kur fëmijët u martuam nëna u bëri dhuratë nga një qilim të përgatitur me duart e saj, ku procesin e larjes, endjes dhe ngjyrosjes së leshit e realizoi vet në shtëpi.

Tefta shprehet se është e lumtur që ka trashëguar traditën në mjeshtëritë e artizanatit shtëpiak.

Ajo sot ka një atelie të vetën ku si mjeshtre ka realizuar shumë kostume tradicionale duke i dhënë jetë kësaj tradite.

Tashmë qilimi i dhuruar prej saj është pjesë e koleksionit të Muzeut Etnografik e së afërmi do të jetë i ekspozuar në një nga mjediset e muzeut për tu admiruar nga vizitorët.