Një Pikaso i veçantë me Marie-Therese Walter shitet në ankand

Një tablo e njohur e Pablo Pikasos që shfaq mikeshën e tij, Marie-Therese Walter, por mbi të cilën fshihet ajo që do të bëhej më pas e dashura e tij, Dora Maar, do të shitet në ankand në Londër më 28 shkurt dhe pritet të arrijë një vlerë të madhe.

Piktori spanjoll realizoi “Femme au béret et à la robe quadrillée” (Marie-Therese Walter)” në vitin 1937, vit kur ai pikturoi “Guernica”-n, që përshkruan tmerrin e bombardimeve naziste gjatë Luftës Civile spanjolle.

Vlera e kësaj pikture në vaj, me përmasa 55-46 centimetra, është vlerësuar me 50 milionë dollarë (40 milionë euro).

Ajo do të dalë në ankand gjatë një shitje të artit impresionist, surrealist dhe artit modern në shtëpinë e ankandeve “Sotheby’s” në Londër.

Identiteti i pronarit aktual të kësaj vepre mbetet konfidencial.

“Kjo është një pikturë me vlerë shumë të madhe”, deklaroi sot James Mackie, drejtor i departamentit të artit impersionist dhe modern tek ”Sotheby’s”.

“‘Ajo u prodhua në një periudhë kyçe të karrierës së Pikasos, në vitin 1937, kur ai realizoi tablonë e madhe ‘Guernica’”, shtoi ai.

“Përveç kësaj, tabloja ka një ngarkesë të fortë autobiografike”, nënvizoi James Mackie.

Në plan të parë aty shfaqet Marie-Therese Walter, e cila ka qenë e dashura dhe muza e tij për një kohë të gjatë, por gjithashtu dhe Dora Maar, të cilën e takoi në vitin 1936, vit që i paraprin realizimit të kësaj tablojem që shfaq këtë hije që shihet pas Marie-Therese”, nënvizon ai.

Në nëntor 2017, princi trashëgimtar i Arabisë Saudite Mohammed ben Salmane, bleu tablonë e Leonardo da Vinçit “Salvator Mundi” për 450 milionë dollarë.