Nesër nis revitalizimi i dy urave me vlerë arkeologjike

Revitalizimi i dy urave me vlerë arkeologjike, turistike dhe kulturore, ajo e Terzive dhe e Tabakëve në Gjakovë, do të nisë nesër.

UNDP njofton se Komuna e Gjakovës, Zyra e Bashkimit Evropian (BE) dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) do të fillojnë punimet në revitalizimin e Urës së Terezive dhe Urës së Tabakut, të mërkurën, më 26 qershor, nga ora 14:00 tek Ura e Terezive dhe në 14:45 tek Ura e Tabakëve.

Ky aktivitet bëhet në bashkëfinancim me komunën e Gjakovës dhe është pjesë e projektit Dialogu Ndërkomunitar Gjithëpërfshirës për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore, të financuar nga Instrumenti i BE-së për Paqe dhe Stabilitet (IcSP / BE) dhe implementuar nga UNDP.

Punimet në këtë projekt, që do të zgjasin tre muaj, përfshijnë: zbukurimin e ambientit përreth urave, krijimin e shtigjeve të reja, vendosjen e ulëseve, elektrifikimin dhe shënimet historike / interpretimin e vendndodhjes.