Ministri Bytyqi mori pjesë në përurimin e çerdhes në Duhël të Suharekës

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi dhe kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj përuruan çerdhen “Flutura”, e cila do të funksionojë brenda hapësirës së shkollës së mesme të ulët “Sadri Duhla” në fshatin Duhël të Suharekës.

Me këtë rast, ministri Bytyqi tha se është kënaqësi e veçantë përurimi i një objekti, i cili do të shërbejë për edukimin e fëmijëve në moshë të hershme.

Sipas kumtesës për media, Ministri theksoi se ndërtimi i çerdheve të reja, krijimi i mundësive për zhvillimin në fëmijërinë e hershme, si dhe zgjerimi i infrastrukturës shkollore kudo në Kosovë, është një dëshmi se çdo ditë e më shumë arsimi po bëhet prioritet në Kosovë.

Duke folur për prioritetet që i ka vënë Ministria për ngritjen e cilësisë në arsim, ministri Bytyqi theksoi nevojën që të gjithë së bashku të punojnë për të siguruar edukim më të mirë.

“Nëse nuk jemi në nivelin e përgjegjësisë, ne do të kemi problem që t’i zbulojmë talentet te fëmijët tanë, por edhe mund t’ua dëmtojmë talentin. Prandaj, është kërkesë e jona që të punojmë për ta ngritur standardin e cilësisë në arsim”, tha ai.

Ministri Bytyqi theksoi se të rinjtë janë pasuri dhe ata kanë nevojë për një edukim të mirë që të sigurojmë jo vetëm të ardhmen e tyre, por kështu do ta sigurojmë edhe të ardhmen e vendit.