Me rastin e 330-vjetorit të vdekjes së Bogdanit do të mbahet konferencë shkencore

Me rastin e 330-vjetorit të vdekjes së Pjetër Bogdanit do të bëhet rivarrimi simbolik i tij, për të cilin Ipeshkvia e Prishtinës dhe e Prizrenit do të organizojnë konferencë shkencore, shkruan KultPlus.

Pjetër Bogdani është një nga figurat më të rëndësishme të letërsisë filobiblike, i cili i parapriu shumë shkrimtarëve tjerë pas tij.

Bogdani është autor i veprës monumentale “Çeta e profetëve”, me të cilën dha kontribut të madh në teologji dhe letërsi.

Kjo konferencë që i dedikohet atij do të jetë mjaft e pasur me kumtesa nga studiues e njohës të mirë të veprës së tij.

Konferenca do të mbahet në Qendrën “BogdaniPolis” në Prishtinë me datën 6 dhjetor, kurse me kumtesa do të paraqiten profesor dhe studiues. Këto kumtesa do të jenë të ndara në Filologji, Teologji, dhe Histori, fusha këto ku Bogdani dha kontribut të çmuar.

Anila Omari, Anton Berishaj, Evalda Paci, Kujtim Shala dhe Aljula Jubani do të prezantohen me kumtesa nga Filologjia, për të vazhduar me Don Robert Kolën dhe Don Shtjefën Dodesin në Teologji, kurse në fushën e Historisë do të prezantohen Don Lush Gjergji, Gjon Berisha dhe Mirie Rushani. /KultPlus.com