”Mbretëria e Maceve” ekspozita që shpalos revoltën e brendshme të Arian Berishës

Xhemile Hysenaj

”Ne ishim të bllokuar në banesat tona gjatë luftës. Shikoja nga dritarja dhe shihja shumë mace-ato po shijonin lirinë që kishin. Ato po luanin dhe shëtisnin lirshëm. Ato nuk kishin rrezik identiteti dhe nuk ishin në rrezik nga forcat policore. Mendova me vete: Pse une nuk jam mace? – Më lindi një ide. Të bëjë një cikël pikturash dhe ta quaj ”Mbretëria e Maceve. Mendoj se kjo është një lloj filozofie. Këto mace nuk janë mace, po jam unë dhe familja ime dhe gjithë njerëzit që njoh”

Këto ishin fjalët e Arian Berishës që vareshin në njërën nga hapësirat e Galerisë Kombëtare të Kosovës, që mbrëmë ishte hapur për të nderuar figurën e artistit katër vite pas vdekjes së tij.

”Mbretëria e Maceve” titullohej ekspozita e cila mbrëmë u hap zyrtarisht në Galerinë Kombëtare të Kosovës, ekspozita ishte realizuar nga kuratori James Walmsley.

Autori në veprat e tij paraqiste herë shumë mace në një vend, herë ndonjë mace të vetmuar. Vërehej revolta e tij shpirtërore pasiqë disa prej punimeve ishin realizuar gjatë kohës së luftës, ku të vetmet qenie të lira sipas autorit ishin macet, kështu përmes tyre autori personifikonte ndjenjat më të fuqishme që i ndjente ai në atë kohë.

Të pranishëm ishin shumë artdashës e shumë artistë, të cilët kishin ardhur për të parë e nderuar punën e mikut dhe kolegut të tyre, tashmë të ndjerë.

Artistja Lumjetë Havolli deklaroi se veprat e Arianit i kanë pëlqyer gjithmonë. ”Nuk e kam njohur Arianin personalisht por punimet e tij gjithmonë kanë qenë mbresëlënëse dhe të këndshme për tu parë”, potencoi ajo për KultPlus.

Ndër të tjerash, organizatorët kishin përgatitur edhe një video ku shfaqeshin profesorët e kolegët e Arianit, tek flisnin rreth tij dhe rreth artit të tij.

Arta Agani, drejtoresha e Galerisë Kombëtare të Kosovës tregoi se e mbante mend Arianin si një Yll të gjeneratës edhe pse personalisht nuk e kishte njohur. ”Kolegët e mi shpesh thonin se ndonjëerë kanë mësuar më shumë nga Ariani sesa nga profesorët. Unë nuk jam piktore, por kam një admirim të madh për punën e Arianit, shihet një revoltë që e ka pasur ai sepse shumica e artit të tij është pikturuar gjatë luftës. Ariani ka qenë një shpirt i ndjeshëm”, u shpreh ajo më tutje për KultPlus.

Pikturat e Arianit ishin të gjalla në intensitetin dhe brutalitetin e tyre dinamik dhe agresiv, shprehnin një revoltë të brendshme që dukej se ishte grumbulluar aty prej kohësh. Disa mace të zeza shprehnin jo një gjë të keqe, por një nevojë për lir.

”E kam takuar Arian Berishën gjatë vizitës sime të parë në Kosovë, në vitin 2005. Atë e njoha përmes një shokut tim, Ismet Jonuzit, i cili më kishte thënë se Ariani ishte piktori më i mirë kosovar. Menjëherë u impresionova nga pikturat e tij por edhe nga vetë Ariani. Unë e doja Arianin dhe artin e tij, për mua këto dy gjëra ishin të pandashme, Ariani ishte vetë arti i tij. Ai ishte plot pasion, energji dhe shkatërrim”, shprehej kuratori i ekspozitës James Walmsley.

James poashtu shprehej se nuk ka rëndësi mendimi i tij për Arianin, pasiqë sipas tij faktet na rrethojnë dhe na tregojnë mjaftueshëm.
Sipas tij arsyej pse ai kishte vendosur ta bënte këtë ekspozitë ishte se Ariani dhe veprat e tij do të inspironin artistët kosovarë.

E pranishme ishte edhe artistja Zake Prelvukaj, e cila për KultPlus u shpreh të ketë nja admirim të veçantë për punën e Arianit. ”Arianin e kam njohur prej hapave të tij të parë në fushën e artit, ka qenë një student shumë i mirë, djali i pashëm dhe njeri i mirë. Punimet e tij janë shumë të mira, ka arritur që përmes macës së zezë të paraqes të gjitha mendimet e tij”, deklaroi ajo për KultPlus.

Ekspozita ishte nën përkrahjen e Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit, ndërsa pritet të qëndrojë e hapur për artdashësit deri me datën 14 dhjetor të këtij viti.