MBRAMJA E DITËS SË FESTËS

Poezi nga: Giacomo Leopardi

Përktheu: Denis Gila

E âmbël dhe e kjartë â nata dhe pa erë.
E qetë mbi pullaze e ndër kopshte
Pushon hana, e prej larg ban dûkë
Të lumtun çdo mal me zana. O shpirti jem,
Tashma hesht çdo shteg, e ndër balkone
Dritë e zbehtë kandili ban dritë:
Ti flen, ku t’mbshtolli gjumë i lehtë,
Në t’qeta oda tuaja, e nuk t’mundon
Asnji shqetësim; as nuk din a mendon
Sa plagë hape në mes të gjoksit tem.
Ti flen: unë këtë qiell, që kaq i mirë
Duket në pamje, t’lashtën natyrë
Pushtetplotë, që me ankth m’bani,
Me përshndetë po shfaqem. Ty shpresën
Ta mohoj, më tha, edhe shpresën; për tjetër
Mos t’shkëlqejnë sytë e tu përveç vajit.
Kjo ditë ishte solemne: tash prej dëfrimit
Merr pak qetsi, e ndoshta t’kujtohet
Në andërr sa sot u pëlqeve, e sa tjerë
Ty të pëlqyene: jo unë, jo ma, as shpresoj
Në mendime t’tueja t’vrapoj. Ndërkohë pyes
Sa me jetue m’ka mbetë, e këtu përtokë
Hidhem, uluras e fshaj. O ditë të tmerrshme
Në kaq të freskët moshë! Ah, ndër rrugë
Ndigjoj jo larg kangë vetare
Të zejtarit, që kthehet natën vonë,
Pas hareve, në t’shkretën shpi të tij;
E krenare zemra më shtrëngon,
Tue mendue se gjithçka n’botë kalon,
E gati gjurmë nuk len. Ja pra iku
Dita e festës, e festës dita
E rëndomtë ndjek, e koha na merr
Çdo ngjarje njerzore. Tash ku â zani
I atyne popujve t’lashtë? Ku â thirrja
E t’parëve tanë t’famshëm, e madhja perandori
E asaj Rome, e armëve, e gjëmimi
Që jehoi për det e dhe?
Tash gjithë paqe e heshtje â, e gjitha pushon
Bota, e ma për ta as nuk flitet.
Në kohë të parë, kur tue pritë
Lakmitar, ditën e festës, tash porsa
Ishte pas fikë, unë dhimbsun, në pritje,
Shtrëngoj puplat; e natën vonë,
Nji kangë që ndigjohej nëpër rrugica
Tue u largue në vdekje avash-avash,
Po ashtu njisoj më shtrëngonte zemra.