Marrëveshje mes QKK-së dhe Festivalit të Filmit në Sarajevë

Pesë studentë nga Kosova do të kenë mundësinë të përcjellin festivalin më të madh të Europës Juglindore.

Ata do të jenë pjesë e një programi special në Festivalin e Filmit të Sarajevës. Marrëveshja u finalizua në Kanë nga drejtori i festivalit të Sarajevës Z Mirsad Purivatra dhe drejtori i QKK-së Z. Arben Zharku. Z. Purivatra rreth marrëveshjes u shpreh: “Me këtë bashkëpunim ne po e çojmë përpara vendosmërinë tonë që me anë të kësaj platforme t’i perkrahim talentët e ri të Kosovës, vendi që tanimë e ka dëshmuar veten si pjesë e rëndësishme e rajonit. Ekipi im dhe unë besojmë fuqishëm që kontaktet dhe lidhjet e krijuara në Sarajevë do të hapin mundësi të reja bashkëpunimi për filmbërësit e ri dhe në këtë mënyrë ta fuqizojmë kinematografinë kosovare e sidomos rrugëtimin e filmave nëpër festivalet e filmit në Europë.” Z. Arben Zharku tha: Platforma e mrekullueshme që e ofron Sarajevo Film Festival është një derë e hapur për artistët kosovar që të takohen me artistët nga rajoni e më larg dhe gjithashtu një mundësi shumë e mirë që të jenë pjesë e ligjeratave të mrekullueshme që gjithmonë i sjell SFF. Kjo marrëveshje u mbështet nga programi “Culture for All – phase III.”