Lokali i një shqiptari ofron kafe falas për inat të Donald Trump

Një emigrant shqiptar ka tërhequr vëmendjen e medieve amerikane. “Washington Post” shkruan se pronari shqiptar i një bari ofron kafe falas për të gjithë haitianët, salvardorianët dhe afrikanët pas deklaratës së Presidentit Trump se Shtetet e Bashkuara nuk duhet të pranojnë emigrantë nga “vende halesh”. Shqiptari mirëpret më një filxhan kafeje falas edhe norvegjezët për të cilët presidenti ka shprehur dashamirësi.

“Emigrantët vijnë këtu për të shtuar diversitetin dhe për ta bërë Amerikën atë që është –thotë Gjergj Dollani. 40-vjeçari është pronar i “Cafe Chocolat”, lokal i hapur 4 muaj më parë në Washington.

“Unë besoj te Amerika” – tha Dollani që tregon se ka mbërritur në SHBA në vitin 1994 me programin e Lotarisë. Në atë kohë sipas tij Shqipëria sapo kishte dalë nga blloku komunist. Shqiptari ka marrë një diplomë nga Universiteti i Illinois duke u bërë çokolatier. Jetoi 1 vit në Francë të merrte zanatin.

“Prindërit e mi deshën një jetë më të mirë dhe morën rrezikun. Kjo është shtëpia jonë tani. Unë kam kaluar më shumë kohë këtu se sa në Shqipëri” – tha Dollani.

Ai këmbëngul se emigrantët krijojnë vende pune. Punëtori i tij është Marco Santos,23-vjeç nga Honduras. Ka mbërritur në SHBA kur ishte 5-vjeç. Trump kërkon që t’ia heqë të drejtën e nënshtetësisë ndërsa pritet që vendimin ta marrë kongresi. Ndërkohë një gjykatë u ka dhënë të drejta të punojnë dhe jetojnë fëmijëve të emigrantëve të paligjshëm.

“Im atë më solli këtu që të kem një shans më të mirë, por tani mund të më kthejnë pas” – thotë Santos. Ndërkohë që zhvillohet intervista vjen një haitian dhe merr një kafe falas.