Në Librarinë “Dukagjini”, të enjten më 5 dhjetor, nga ora 18:00, do të bëhet promovimi i librit “Trëndafili i bardhë”.

Ky libër flet për jetën dhe fëmijërinë e Xheraldinës, si konteshë në perandorinë Austro-Hungareze, e pastaj për martesën e saj me mbretin Ahmet Zogu.

Këtë histori e sjell Elia Zaharia Zogu, në një pikëpamje ndryshe. Vepra e saj e botuar nga “Albas” është përrallë për fëmijë, e cila është e ndërthurur me elemente të realitetit dhe fiksionit. Siç e cek autorja, ajo i përdor këto elemente që t’ua mundësojë gjeneratave të reja të njohin më nga afër Xheraldinën dhe ta kenë më të lehtë të njohin historinë e “Trëndafilit të bardhë” – siç e quanin ajo.

Kjo përrallë që shpalos edhe traditat shqiptare, u dedikohet fëmijëve të vegjël që janë më të drejtpërdrejtë në shprehjen e ndjenjave dhe mendimeve për fabulat që i lexojnë apo dëgjojnë.