Kur Konica këshillonte Princ Wiedin të ruhej nga intrigantët në Shqipëri

Periudha e qeverisjes së Wiedit në Shqipëri (7 mars – 3 shtator 1914) u mbizotërua nga kontradikta të mëdha të brendshme dhe të jashtme. Konfliktet e brendshme buronin nga heterogjeniteti fetar i popullsisë shqiptare, politikat personale të figurave politike dhe po ashtu edhe nga tentativa e instalimit në Shqipëri të një pushteti ksenokrat. Rivalitetet dhe interesat e ndryshme të Fuqive të Mëdha gjatë Konferencës së Ambasadorëve, para së gjithash të Austro-Hungarisë dhe Italisë, e kishin kthyer Shqipërinë në një “kukull loje”. Këtë gjë e dëshmon edhe përzgjedhja e një figure të panjohur gjermane në krye të shtetit të ri shqiptar, siç ishte Wilhelm zu Wied.

Kushtet dhe situata në të cilën Fuqitë e Mëdha vendosën të krijojnë Shqipërinë ishin shumë më të pafavorshme sesa në vendet e tjera të Ballkanit. Zhvillimi i vonuar social-ekonomik i vendit, niveli i lartë i analfabetizmit, heterogjeniteti fetar, një elitë shqiptare e brumosur me mentalitet turk, mungesa e infrastrukturës dhe prapambetja e shoqërisë shqiptare si edhe konfliktet e armatosura me vendet fqinjë e vështirësonin ngritjen e shtetit shqiptar.

Kandidaturat e paraqitura nga Austria dhe Italia për fronin shqiptar ishin të shumta. Edhe patriotët shqiptarë ishin fillimisht të ndarë mes tyre se cili duhej të ishte mbreti i tyre i ardhshëm.

Një nga mbështetësit e Wiedit ishte edhe Faik Konica. Sipas tij, Wiedi krijonte një përshtypje korrekte, por ajo që për atë dhe shumë të tjerë nuk kuptohej ishte ngadalësia që ai vepronte gjatë përgatitjes për të ardhur në Shqipëri. Ndër të tjera, Konica shprehej në një intervistë të dhënë në gazetën “Freie Prese” më 27 janar 1914 se: “[…] Popullit shqiptar i pëlqen Princ Wiedi, si pasojë e cilësive të tij si ushtarak. Le të shpresojmë që, këto cilësi, nuk do të mposhten nga pasiguria dhe hezitimet e një diplomati”.

Wilhelm zu Wied lindi më 26 Mars 1876 në Neu Wied. Më 3 qershor 1897, në moshën 21-vjeçare, ai nisi karrierën ushtarake si nëntoger në regjimentin e III-të të kalorësisë së Gardës Prusiane, në Potsdam. Ky regjiment ishte i njohur për numrin e tij të madh të oficerëve me origjinë nga familjet e larta aristokrate gjermane. Madje edhe vetë Perandori Wilhelm II kishte shërbyer në të.

Wiedi u përshtat shumë shpejt në jetën ushtarake. Ai gëzonte respektin e shokëve dhe vartësve të tij. Po ashtu edhe në jetën civile, ai shfaqej i matur, i kujdesshëm dhe shquhej për drejtësinë e tij.

Më 30 nëntor 1906 u martua me Princeshën Sophie von Schönburg-Waldenburg (Sofi fon Shënburg-Valdenburg). Martesa dhe detyrat e tij në regjiment, nuk e penguan atë të përgatitej dhe të kalonte me sukses provimin e pranimit në Akademinë e Luftës. Më 19 Dhjetor 1907, Wiedi mori gradën e togerit dhe më 20 Mars 1911 gradën e kapitenit. Në Potsdam lindën edhe dy trashëgimtarët e familjes Marie Eleonore (Mari Eleonore) dhe Carol Viktor (Karl Viktor).

Pas përfundimit me sukses së Akademisë së Luftës në Berlin, e cila zgjati tre vjet, Wied-i u kthye përsëri në regjimentin e tij. Pak kohë më vonë, pasi u gradua kapiten, ai u emërua në Shtabin e Përgjithshëm në Berlin.

Pas disa vitesh shërbimi në Shtabin e Përgjithshëm, ai u kthye përsëri në Potsdam si “Rittmeister” (kapiten i kavalerisë) dhe u emërua komandanti i një skuadroni në po të njëjtin regjiment që kishte qenë dikur. Propozimi për të marrë kurorën e Shqipërisë e gjeti Wied-in në këtë detyrë.

Gjatë ceremonisë së largimit nga regjimenti, Wiedit ju dha grada “Major à la suite”. Kjo do të thoshte që Wiedit i lejohej të vishte uniformën ushtarake, por që nuk ishte më pjesë organike e repartit të tij. Më tepër ky ishte një titull nderi që jepej për aristokracinë gjermane, të cilët, në raste të caktuara, pas largimit nga shërbimi aktiv, u lejohej të vishnin uniformën e tyre.

Konica shkoi në Potsdam [Berlin] në fundvitin 1913 për t’u takuar me Wiedin dhe për ta këshilluar personalisht atë për detyrën e vështirë që ai kishte marrë përsipër. Çfarë e këshillonte ai Wiedin dhe si e vlerësonte Konica Shqipërinë e viteve 1913, del qartë në Kujtesën që ai i dërgoi Wied-it më 9 dhjetor 1913 nga Potsdami, të cilën po e botojmë të plotë: