Kultura dhe natyra në sytë e fëmijëve

Amfiteatri i Muzeut Kombëtar të Kosovës ka hapur ekspozitën “Bashkëjetesa natyrore dhe kulturore në Kosovë”, në të cilën shihet puna e fëmijëve të cilët janë kujdesur ta paraqesin mjedisin si ata e shohin dhe e ëndërrojnë. Ky projekt është kombinim i pikave të ndryshme, në qendër të këtij instalimi artistik janë edhe fotografitë e pikturat e ekspozuara të fëmijëve nga Kosova, të cilat janë të vendosura rreth pikturës së famshme të Ibrahim Kodrës: “Qyteti i Ri”, e cila konsiderohet se reflekton një frymëzim për të gjithë artistët e rinj dhe për vizitorët e kësaj ekspozite. Ambienti i ekspozitës është i rrethuar nga imazhe që dolën nga gara kombëtare për fotografinë më të suksesshme rreth trashëgimisë kulturore, e cila është organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës e nga Muzeu i Kosovës dhe nga pikturat e të rinjve, të cilët janë të edukuar në frymën e praktikave të qëndrueshme me idetë e reja rreth bashkëjetesës mjedisore dhe se si e shohin ata të ardhmen në këtë botë.

Në mesin e shumë të pranishmëve Maria Pacolli, drejtoresha e fondacionit “Ibrahim Kodra”, u ka dëshiruar mirëseardhje artdashësve në mbrëmjen që ajo e quan ekspozita e artit për ekologji. “Jeni të mirëseardhur në këtë ekspozitë të veçantë. Jemi të lumtur të prezantojmë këtë projekt për ekologjinë, për artin e ekologjisë. Kemi nisur me ‘Cosmon’, një punëtori për artin ekologjik në Muzeun Arkeologjik të Kosovës. Po ashtu kjo punë është prezantuar në Bienalen e Venecias, në Parlamentin Evropian në Strasburg, në Ambasadën e Kosovës në Bernë, në Konsullatën e Përgjithshme në Gjenevë dhe tani jemi të lumtur të jemi këtu në Prishtinë”, u shpreh Pacolli.

Tutje në fjalën e tij Fatmir Matoshi, ministër i Ministrisë së Mjedisit dhe i Planifikimit Hapësinor, konsideron se në këtë ekspozitë shihet puna e nxënësve pas një turneu të gjatë që ka bërë në vende të ndryshme të Evropës. Ministri Matoshi përgëzoi artistët e rinj për kreativitetin e tyre dhe për prezantimin e Kosovës përmes artit, duke vlerësuar lart idetë e tyre që përmes artit të promovojnë edhe mbrojtjen e mjedisit.

“Kjo ekspozitë po rikthehet për t’u ekspozuar këtu në Prishtinë, në këtë rast ia shpreh falënderimet e mia fondacionit ‘Ibrahim Kodra’ për punën që ka bërë që nga fillimi i përgatitjes së ekspozitës, pastaj ekspozimi i saj në Venecia dhe gjithandej. Kjo ekspozitë përçon një mesazh të veçantë për ne si Ministri, mesazhin e mbrojtjes së mjedisit dhe për këtë arsye ne jemi të lumtur që kemi pasur mundësinë ta mbështesim këtë ekspozitë”, vlerëson Matoshi, i cili tutje ka theksuar se ka edhe një qëllim tjetër dhe ai është inkurajimi i artistëve të rinj në Kosovë, e para – që të krijojnë punime e vepra si këto që po i shohim sot dhe e dyta – që përmes punimeve mesazhin ta dërgojnë te të gjithë gjeneratat për rëndësinë që ka ruajtja e mjedisit dhe e ambientit.

“Mendoj se ky është hap i mirë dhe një fillim i mirë që këtyre nxënësve, të cilët kanë punuar t’u bashkëngjiten edhe shumë të rinj të tjerë, në mënyrë që mjedisi të jetë prioritet ashtu qysh në realitet dëshirojmë ta kemi një vend të mirë e të bukur. Falënderoj ambasadorin për praninë, për mbështetjen dhe besoj se përgjatë një muaji përderisa do të jetë e hapur ekspozita do të vizitohet e do të mirëpritet, ngase qëllimin e ka të mirë nga njerëzit që tashmë vijnë nga diaspora dhe nga grupe të interesit që janë këtu në Kosovë. Deri në projektin tjetër ne jemi të gatshëm t’i mirëpresim dhe të jemi bashkë në punë të mira”, tha ai.

Matoshi po ashtu falënderoi drejtoren e fondacionit, Maria Pacolli, për organizimin e kësaj ekspozitë që ndikon mjaft mirë në imazhin e Kosovës në botë.

Ambasadori zviceran në Kosovë, Jean-Hubert Leber, tha se qytetarët e Kosovës duhet të jenë krenarë me atë që kanë arritur me gjendjen e mjedisit. “Është nder për mua të jem këtu. Dëshiroj t’i shpreh komplimentet e mia për punën tuaj që keni dhënë në fondacion dhe të bashkoni të ardhmen e të dyja shteteve tona, sepse një qëllim është shumë i rëndësishëm dhe ai është mbrojtja e ambientit. Më kujtohet kur isha djalë i ri shumë kohë më herët dhe në atë kohë kemi parë problemet, të cilat i shohim tani siç janë plastika dhe mbeturina të shumta, që ishin probleme të mëdha të mjedisit dhe besoj se të rinjtë kanë filluar t’i kuptojnë problemet e mjedisit dhe me aktivitetin tuaj shpresoj të përmirësohet sadopak gjendja. Unë mendoj se ju nuk jeni sa duhet krenarë me vendin tuaj me këtë vend kaq të bukur që e keni. Kështu që mbrojeni vendin tuaj, mbrojeni mjedisin dhe kjo do të jetë shumë e mirë për të ardhmen”, u shpreh Leber.

Kjo ekspozitë është përgatitur me ndihmën e Ministrisë së Punëve të Jashtme, të Ministrisë së Kulturës, të Ministrisë së Mjedisit dhe të Planifikimit Hapësinor, të Ambasadës së Zvicrës në Prishtinë dhe të Muzeut Kombëtar të Kosovës.

Ky projekt i fondacionit “Ibrahim Kodra” është realizuar nga pikturat dhe nga vizatimet e fëmijëve në atelienë “Arti ekologjik” i Muzeut Kombëtar, nga “SOS Fshati i Fëmijëve” në Prishtinë, nga “Asociacioni Kombëtar i Autizmit” në Kosovë dhe nga shkolla e artit “Adem Kastrati” në Gjilan.

Ekspozita “Bashkëjetesa natyrore dhe kulturore në Kosovë” do të jetë e hapur deri më datë 2 gusht të këtij viti.